Një qytetare nga fshati Qukës i Librazhdit i është drejtuar sërish redaksisë së JOQ Albania me një denoncim të pazakontë. Sipas saj, prej disa javësh është përballur me situata të çuditshme, ku ka gjetur objekte të dyshimta si vezë dhe sende të tjera në vendbanimin dhe biznesin e saj, për të cilat ajo dyshon se lidhen me praktika të magjisë së zezë.
Në një denoncim të mëparshëm të dërguar në redaksi, qytetarja tregonte se pas vendosjes së kamerave në banesë, këto objekte pushuan së shfaquri, por pak ditë më parë ajo pretendon se ka gjetur në themelin e biznesit një copë djathë rreth dy kilogramë, ndërsa sot ka gjetur përsëri një send të dyshimtë, dy shkopinj të lidhur me një fije të zezë dhe nyje, pranë vendit të punës. Ajo e ka shoqëruar denoncimin edhe me një foto në të cilën duket sendi i dyshimtë.
“Na kanë sjellë shumë probleme sinqerisht. Këto gjëra na kanë krijuar edhe konflikte në familje. Sa herë ndodhin probleme, më pas gjejmë këto sende në shtëpi apo në punë,” – shkruan ajo.
Qytetarja i bën thirrje përmes JOQ Albania personave që ajo mendon se mund të jenë përgjegjës, duke shpresuar se publikimi i ngjarjes mund t’i frenojë.
Redaksia jonë nuk ka mundësi të verifikojë pretendimet, por i jep zë shqetësimit të qytetares, siç bën për çdo raportim që vjen nga qytetarët.