Një qytetare ka denoncuar në redaksinë e JOQ Albania një ngjarje tejet shqetësuese që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm. Sipas saj, një automjet luksoz tip Audi Q8 që udhëtonte me shpejtësi të lartë mbi 120 km/h ka përplasur rëndë një qenush dhe është larguar menjëherë nga vendngjarja pa i dhënë ndihmën e parë.
Qytetarja tregon se pas aksidentit, njoftoi policinë, e cila mbërriti në vendngjarje, por e udhëzoi që të telefononte bashkinë për ndihmë. Ajo kontaktoi me policinë bashkiake dhe regjistroi bisedën, ku një punonjës i tha se “nuk është detyra e tyre të merren me qen të plagosur” dhe e orientoi të priste mëngjesin për të kontaktuar Agjencinë e Mbrojtjes së Konsumatorit, që në atë orar ishte e mbyllur.
E shqetësuar për gjendjen e rëndë të qenushit, i cili ishte i gjakosur dhe në agoni, qytetarja nuk pranoi ta linte të vdiste në rrugë dhe vendosi ta çonte vetë në një klinikë veterinare private, duke paguar nga xhepi të gjitha shpenzimet për trajtimin dhe taksinë që e çoi atje.
Sipas saj, ngjarja ndodhi pranë terminalit Jug-Lindor në Tiranë, dhe ndonëse automjeti që kreu aksidentin kishte targa që fillonin me numrin 080, ajo nuk mundi të shënonte targën e plotë për shkak të shpejtësisë së lartë me të cilën po udhëtonte.
Qytetarja ngre akuza të forta ndaj bashkisë, duke thënë se fondet për sterilizimin dhe përkujdesjen e qenve janë zhdukur, se kafshët po i helmojnë në rrugë dhe po masakrohen në strehimore duke i lënë pa ujë e ushqim, ndërsa askush nuk mban përgjegjësi. Ajo shton se “qeni nuk ka gojë për të bërë denoncim, por mund të kishte qenë një fëmijë apo një njeri në vend të tij”.
Ajo ka paralajmëruar se do të bëjë denoncim zyrtar pranë komisariatit për ngjarjen dhe sjelljen e autoriteteve, ndërsa përmes JOQ Albania i kërkon përgjegjës bashkisë të japin llogari për fondet dhe shërbimet që ligjërisht duhet të ofrohen për kafshët endacake.