Kështu priten turistët në kalanë 2400-vjeçare të Beratit

Shkruar nga: U Tafa | Publikuar më: 02.06.2025, 19:01

Kalaja e Beratit, një nga thesaret historike më të çmuara të Shqipërisë dhe pjesë e trashëgimisë botërore të mbrojtur nga UNESCO, ndodhet në një gjendje alarmante. Në vend që të ofrojë mirëseardhje dhe përkujdesje për mijëra turistë që e vizitojnë çdo ditë, ajo i pret me rrugë të rrënuara, mungesë sigurie dhe mbeturina të shpërndara kudo.

Një qytetar i shqetësuar ka ndarë një video ku shfaqet gjendja reale në hyrje të kalasë. Ai tregon momentin kur një turiste rrëzohet teksa zbriste shkallët, për shkak se mungon çdo mbajtëse dhe shkallët janë të dëmtuara.
"Shikoni, sapo u rrëzua një grua. Pa dashje e kapa këtu. Pse? Sepse nuk ka mbajtëse dhe shkallët janë pa lidhje. Ja si i presim turistët. Mbeturinat kanë pushtuar çdo cep, edhe nëpër mure kanë hipur. Këtu poshtë është bashkia që nuk e vendos ujin në zjarr. Turistët vijnë nga e gjithë bota për të na respektuar dhe ne i presim me mbeturina", dëgjohet të thotë qytetari në video.

Në një tjetër mesazh dërguar JOQ Albania, qytetari shprehet:
"Tungjatjeta, ja si i presim turistat në kalanë 2400 vjeçare e cila gëzon statusin mbrojtës të UNESCO. Çdo ditë rrëzohen me dhjetra turista. Brenda kalasë lejohen makinat dhe mbeturinat kanë pushtuar çdo rrugicë."

Pamjet flasin vetë: rrugicat e kalasë janë të shkatërruara, koshat mungojnë, makinat lëvizin pa kontroll dhe mbeturinat janë kthyer në sfondin e përditshëm të një zone që në letër konsiderohet simbol i trashëgimisë kombëtare.

Situata kërkon ndërhyrje urgjente dhe përkushtim real nga institucionet vendore dhe qendrore për të mbrojtur jo vetëm vlerat historike, por edhe jetën dhe sigurinë e vizitorëve që zgjedhin të eksplorojnë Beratin. Turizmi nuk ndërtohet me slogane, por me përkushtim, mirëmbajtje dhe respekt për trashëgiminë dhe vizitorët.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit