Të martën e 3 qershorit nisin zyrtarisht ethet për 27 mijë maturantë në vendin tonë të cilët do t’i nënshtrohen provimeve të maturës. Këtë të martë starton provimi i parë, ajo e Gjuhës së huaj, duke startuar në këtë mënyrë edhe sezonin e provimeve që përfundon në datën 24 qershor.
Këto provime janë të rëndësishme për gjimnazistët të cilët pas ciklit 3-vjeccar, gjimnazin do të përballen me një tjetër sfidë për të ardhmen e tyre, studimet në universitet shtetërore, private, por jo vetëm dhe atë profesionale. Për këtë temë në studion e TVA News është zhvilluar një intervistë me eksperten e arsimit Ana Llazo.
Për TVA News, ekspertja e arsimit Ana Llazo ka vënë theksin te rëndësia e kurrikulës mësimore në vendin tonë, që sipas saj ka vend për ndryshim në dobi të nxënësve. Në intervistën me gazetaren Sedjana Huna, ekspertja e arsimit u shpreh se procesi i maturës kërkon përkushtim nga nxënësit, por jo vetëm, pasi rol kryesor luan edhe mësuesi.
Në fjalën e saj Llazo u shpreh se shumë prej gjimnazistëve janë të fokusuar vetëm të kalojnë provimet dhe kjo lë për të dëshiruar, pasi fokusi kryesor i të rinjve duhet të jetë tek të nxënit, pra të përfitojnë dhe të fokusohen te provimi, për të marrë mbrapsht dije dhe për të siguruar një sukses në bazë të rezultateve të provimeve të maturës shtetërore.
Theksin më të madh Llazo e vendosi te kurrikula mësimore në vendin tonë për të cilën tha se instancat përkatëse duhet të ndërhyjnë për ta përditësuar ku në qendër të vendoset nxënësi dhe praktika, ose të ketë një alternim më i mirë i praktikës i me teorinë.
Llazo shprehet se këshillimi i karrierës në gjimnaze mungon në vendin tonë, ndaj dhe të rinjtë nuk janë të informuar lidhur me tregun e punës apo degët e studimit dhe kjo sipas ekspertes së arsimit është detyrë edhe e mësuesve të cilët duhet të jenë më të fokusuar tek nxënësit të cilëve nuk duhet vetëm t’u shpërndajnë informacionin mbi lëndën, por edhe t’i përgatisin për të ardhmen.