Në 9 maj 2025, vetëm dy ditë para zgjedhjeve të 11 maji, qeveria miratoi një vendim të papritur, ku njoftoi faljen e të gjithë gjobave të vendosura ndaj qytetarëve që nga 1 janari 2015 deri në 30 nëntor 2024.
Nga shumë kritikë ky vendim u konsiderua si një “qokë” për të manipuluar vullnetin e zgjedhësve! Por pavarësisht kësaj vendimi kaloi nën zë, kjo edhe për shkak të zhvillimeve të vrullshme të ditës së zgjedhjeve dhe ditëve pasuese me numërimin e votave.
Tashmë kur nuk është bërë ende një muaj nga vendimi i qeverisë për të falur gjobat, policia duket se ka nisur punën me “dorë të hekurt” për të arritur përsëri numrin e gjobave të falura, por këtë herë shumë më shpejt.
Sipas një njoftimi nga Policia Rrugore e Tiranës, vetëm gjatë javës që lamë pas janë vendosur 14 495 masa administrative. Një numër goxha i kosniderueshëm, kur merr parasysh faktin se ky është bilanci i 7 ditëve vetëm në Tiranë.
Po në të gjithë Shqipërinë? Për sa kohë mendoni se do të arrijë policia të vendosë aq gjoba sa qeveria i fali? A ishte vërtetë një falje, apo një vendim që nuk do të zbatohet?
Të shumtë janë qytetarët që kanë denoncuar pranë redaksisë sonë se pavarësisht vendimit, gjobat ende nuk janë falur.