Vullkani më aktiv dhe më i lartë në Europë, Etna në Sicili, ka shpërthyer me forcë këtë të hënë, duke nxjerrë një shtëllungë gjigande tymi dhe hiri që është ngjitur lart në qiellin italian.
Pamje dramatike të publikuara në rrjetet sociale tregojnë turistë duke vrapuar për t’u larguar, ndërsa re të dendura hiri mbulojnë anët e malit.
Sipas Institutit Kombëtar Italian të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (INGV), Etna është në fazë shpërthimi të fuqishëm me erupsione stromboliane pothuajse të pandërprera, të cilat po rriten në intensitet.
Dridhjet vullkanike, që shërbyen si paralajmërim për shpërthimin, filluan rreth orës 22:00 mbrëmjen e kaluar dhe arritën kulmin para mesnate. Deri më tani nuk raportohet për viktima apo dëme të mëdha materiale, por autoritetet kanë rritur nivelin e alarmit dhe kanë ndaluar qasjen në zonat përreth kraterit aktiv.
Etna është një nga vullkanet më të monitoruara në botë dhe ka një histori të gjatë shpërthimesh, shpesh spektakolare, por edhe të rrezikshme për banorët dhe vizitorët. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të ndjekin udhëzimet dhe të shmangin zonat e rrezikshme.