Është zhvilluar mesditën e sotme procesi gjyqësor për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani. Në këtë seancë kanë dëshmuar pesë të mitur, të cilët janë paraqitur për të dhënë informacion në cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes së rëndë që ndodhi më 18 nëntor 2024.
Njëri nga dëshmitarët kyç ishte K.B., një i mitur që ndodhej në vendin e ngjarjes në momentin e sulmit me thikë. Familjarët e viktimës kanë shprehur dyshime se ai mund të ketë një rol më të drejtpërdrejtë në konflikt, ndaj kanë kërkuar sqarimin e plotë të çdo detaji që lidhet me ngjarjen.
Ndërkohë, Mario Përlleshaj, 14-vjeçari i dyshuar si autor i vrasjes, nuk ishte i pranishëm gjatë dëshmive të dhëna sot. Avokati i tij deklaroi se klienti i tij e mohon përfshirjen në vrasjen e Martin Canit, duke pohuar se ai ka pasur për qëllim vetëm të godasë Luis Meçen, mikun e ngushtë të viktimës.
Në seancën e ardhshme gjyqësore pritet të dëshmojnë shtatë persona të tjerë, përfshirë katër të mitur që gjithashtu do të flasin për atë që dinë mbi konfliktin që çoi në humbjen e jetës së Martin Canit. Gjyqi është duke u ndjekur me interes të lartë nga publiku dhe media, për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe moshës së përfshirëve.
Martin Cani u godit me thikë në bark pas një konflikti të nisur në oborrin e shkollës “Fan Noli” dhe që vijoi jashtë saj. Ai tentoi të kërkonte ndihmë, por humbi ndjenjat në trotuarin para shkollës dhe ndërroi jetë në spital për shkak të plagëve të rënda. Në këtë përleshje mbetën të plagosur edhe Luis Meçja dhe vetë autori i dyshuar, i cili u trajtua në një spital privat.