Mesditën e sotme një zjarr ka përfshirë kodrat me ullinj në zonën e Zhupanit, Fier, në vendin e njohur si “Takodrom”. Flakët janë përhapur me shpejtësi për shkak të erës së fortë, duke alarmuar banorët e zonës, të cilët kanë njoftuar menjëherë shërbimet përkatëse.
Në vendngjarje kanë mbërritur dy mjete zjarrfikëse, por për shkak të terrenit të thyer dhe të vështirë, ndërhyrja e tyre është bërë thuajse e pamundur. Zjarri ka vazhduar të përhapet, duke përfshirë një sipërfaqe të gjerë me shkurre dhe pemë ulliri.
Megjithëse dëmet në bimësi janë të konsiderueshme, nuk raportohet për rrezik ndaj banesave, pasi ato ndodhen në distancë nga zjarri. Autoritetet po ndjekin situatën nga afër dhe janë në gatishmëri për çdo përshkallëzim të mundshëm.