Më 1 qershor, në afërsi të zonës së Shkëmbit të Kavajës, u regjistrua një ngjarje e rëndë. Dy persona që po lundronin me një mjet Jet Ski humbën kontrollin dhe ranë në ujë.
Dy personat u nxorën nga uji dhe u transportuan menjëherë drejt portit me qëllim dërgimin në spital. Njëri prej tyre, S. O., 34 vjeç, banues në Angli, fatkeqësisht kishte ndërruar jetë, ndërsa personi tjetër, V. B., 31 vjeçe, gjithashtu banuese në Angli, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe është shtruar menjëherë në spital.
Dailymail shkruan se 34-vjeçari u konfirmua i vdekur nga rojet bregdetare, të cilët besojnë se ai humbi kontrollin e mjetit dhe doli nga motomjeti.
Një grua 31-vjeçare u plagos gjithashtu rëndë dhe mbetet në gjendje kritike në spital. Pushuesit po provonin 'manovra' pranë zonës së Shkëmbit të Kavajës në Durrës kur ranë në ujë dje në mëngjes. Një hetim ka nisur për të zbuluar rrethanat e aksidentit tragjik.
Një faqe tjetër ka raportuar se çifti ishte nga Gana, por jetonte në Angli. Ministria e Jashtme është kontaktuar për koment. Incidenti i tmerrshëm vjen vetëm disa javë pasi një turist tjetër britanik u përfshi në telashe me një jet ski ndërsa ishte në Tajlandë.