Një qytetar nga Tirana i është drejtuar redaksisë sonë për të denoncuar cilësinë skandaloze të ujit që u shpërndahet banorëve përmes rrjetit të ujësjellësit.
Sipas denoncuesit, uji që arrin në çezmat e banesës së tij është jashtë çdo standardi të pranueshëm, duke e bërë të papërdorshëm për larje apo për nevojat e tjera të përditshme të shtëpisë. Në videot që ai ka dërguar, shihet teksa hap bolierin e dushit nga i cili nuk del ujë, por një masë balte e ngurtësuar, që ngjan me betonin.
I tronditur nga ajo që sheh, qytetari ngre shqetësimin për cilësinë e ujit në kryeqytet, duke deklaruar: “O popull, po helmohemi nga uji! Shikoni çfarë na sjell ujësjellësi! Ky nuk është ujë, është si vaj makine. Te kompleksi xhura tek klani. Dhe ujë për të gatuar e për të larë kemi ngelur pa blerë tani!”
Pamjet filmike tregojnë qartë dyshemenë e mbuluar nga balta që ka dalë nga buljeri. Ky nuk është një rast i izoluar, pasi banorët e Tiranës janë ankuar në mënyrë të përsëritur për cilësinë e dobët të ujit, ndërkohë që në shumë zona furnizimi me ujë shpesh ndërpritet për periudha të zgjatura.
Kjo situatë përbën një alarm serioz për pasojat e mundshme në shëndetin e qytetarëve, veçanërisht kur uji i ndotur përdoret për gatim, larje apo konsum të drejtpërdrejtë.