Ukraina sulm masiv me dronë në Rusi, goditen bazat ajrore në disa rajone

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 02.06.2025, 00:02

Ukraina ka ndërmarrë një nga sulmet më të gjera që nga fillimi i luftës, duke goditur disa baza ajrore ruse në një operacion të koordinuar që përfshiu rajone nga kufiri me Norvegjinë deri në Siberinë lindore.

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë konfirmoi se dronë ukrainas sulmuan baza ushtarake në pesë rajone, përfshirë Murmanskun dhe Irkutskin, ku disa avionë u përfshinë nga flakët. Në bazën ajrore Belaya në Irkutsk (hera e parë që Siberia sulmohet që nga fillimi i luftës) dhe në bazën strategjike Olenya në Murmansk, dronët goditën nga një distancë më pak se 4 milje.

Sipas një zyrtari të shërbimeve sekrete ukrainase, dhjetëra avionë rusë u dëmtuan, edhe pse kjo nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur. Ai tha gjithashtu se dronët ishin futur fshehurazi në territorin rus përmes kamionëve dhe ishin lëshuar nga aty.

Presidenti ukrainas Zelensky deklaroi se operacioni ishte planifikuar që prej një viti e gjysmë dhe e quajti rezultatin “absolutisht brilant”. “Ukraina po vetëmbrohet dhe me të drejtë,” tha ai. Zv/shefja e kabinetit të tij, Iryna Vereshchuk, shtoi: “Ky është një nokaut i fortë për armikun.”

Ndërkohë, Ukraina pësoi një goditje të rëndë, pasi një raketë ruse goditi një bazë stërvitore ushtarake në Dnipro, duke lënë të paktën 12 ushtarë të vdekur dhe mbi 60 të plagosur. Komandanti i forcave tokësore ukrainase dha dorëheqjen, duke marrë përgjegjësi morale për ngjarjen.

Po ashtu, Rusia kreu edhe një sulm ajror masiv gjatë natës në territorin ukrainas, duke lëshuar 472 dronë dhe shtatë raketa. Shumica u rrëzuan, por 18 objektiva u goditën, përfshirë disa banesa në rajonin e Kievit, Kirovohradit dhe Kharkivit.

Ky përshkallëzim ndodh në prag të një raundi të ri bisedimesh për armëpushim mes palëve, që do të zhvillohet të hënën në Stamboll.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit