Mijëra qytetarë në Serbi dolën sërish në protesta këtë të diel, duke kërkuar drejtësi dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare, ndërsa akuzojnë qeverinë e Aleksandar Vuçiç për korrupsion dhe shtypje të lirive demokratike.
Protestuesit, të udhëhequr nga studentët, bllokuan dy ura kryesore në Beograd dhe zhvilluan protesta në mbi 30 qytete të tjera të vendit. Protesta u organizua saktësisht 7 muaj pas tragjedisë së 1 nëntorit, kur një pjesë betoni u shemb në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, duke lënë të vdekur 16 persona.
Sipas studentëve, kjo tragjedi është pasojë e punimeve të dobëta nga kompani kineze dhe korrupsionit në projektet publike të infrastrukturës. Ata kërkojnë hetim të plotë dhe dënimin e përgjegjësve.
“E gjithë Serbia është ngritur në këmbë. Nuk do të ketë më heshtje, nuk do të ketë më dorëzim!” – u lexua një deklaratë e përbashkët në të gjitha qytetet ku u protestua.
Në Novi Sad, protestuesit marshuan drejt vendit të tragjedisë duke mbajtur një kurorë të bardhë për viktimat. Ndërkohë, Vuçiç ka lënë të hapur mundësinë për zgjedhje të parakohshme, por pa dhënë ndonjë datë konkrete.
Ndërsa shumica e mediave në Serbi janë të kontrolluara nga pushteti, protestuesit përballen me etiketime si “terroristë” apo “vegla të Perëndimit” nga propaganda qeveritare.
Asnjë person nuk është dënuar ende për tragjedinë e Novi Sadit, ndërsa shumëkush dyshon se drejtësia do të zbulojë ndonjëherë të vërtetën.