Një video që sapo ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania tregon momentin kur një kamion është përfshirë nga flakët në Rrugën e Kombit, në afërsi të Kalimashit.
Pamjet filmike tregojnë mjetin e tonazhit të rëndë të përfshirë totalisht nga zjarri, me tym të zi që ngrihet në ajër dhe flakët që kanë përfshirë pjesën e rimorkios.
Në sfond dëgjohet shqetësimi i qytetarëve që kanë ndaluar për të filmuar ngjarjen, ndërsa duket se nuk ka pranë ndonjë ndërhyrje të menjëhershme nga zjarrfikësit.
Ajo që e bën situatën edhe më alarmante është fakti se mjetet e tjera vazhdojnë të kalojnë shumë pranë kamionit që digjet, në të njëjtën korsi, duke rrezikuar seriozisht jetën e drejtuesve dhe pasagjerëve për shkak të mundësisë së një shpërthimi apo përhapjes së zjarrit.
Ende nuk dihet nëse ka persona të lënduar nga zjarri, ndërsa shkaqet që çuan në këtë incident mbeten të paqarta.