Një qytetar ka ngritur një shqetësim të madh në redaksinë tonë lidhur me gjendjen e rënduar në varrezat e Laknasit, në njësinë administrative Kamëz. Sipas tij, mungesa e pastrimit dhe neglizhenca nga ana e punonjësve përkatës e kanë bërë të pamundur vizitën tek varret e të afërmve. Ai tregon se zona është e mbuluar nga bari i gjatë dhe mbeturina të shumta, duke krijuar vështirësi të mëdha për të afruar tek vendi i prehjes së familjarëve të ndjerë.
Qytetari shprehet i indinjuar për faktin që pastrimi kryhet vetëm në hyrje të varrezave, në mënyrë sipërfaqësore, ndërkohë që pjesët e tjera lihen në harresë. Ai thekson se punonjësit përfitojnë pagesën mujore për shërbimin, por nuk kryejnë detyrimet e tyre me përkushtim dhe përgjegjësi. Situata, sipas denoncuesit, është aq problematike saqë përveç pamundësisë për të pastruar vetë, është shfaqur edhe frika për praninë e gjarpërinjve për shkak të barit të lartë.
Ai tregon se ka tentuar disa herë të kujdeset vetë për hapësirën përreth varrit të të afërmit të tij, por nuk ia ka dalë, pasi zona është në gjendje të mjerueshme dhe kërkon ndërhyrje institucionale. Qytetari i bën thirrje institucioneve përgjegjëse, administratorit të njësise Valias-Laknas, kryetarit të bashkisë Kamëz dhe administratës së varrezave që të marrin masa të menjëhershme për përmirësimin e gjendjes.
Mesazhi i qytetarit i mbërritur në redaksinë e JOQ Albania
Pershendetje joq doja te shprehja 1shqetesim teper te madh qe kemi si familje per varrezat e Laknasit kemi te afermin tone dhe eshte e pamundur per ta vizituar pasi eshte bere shume bar dhe mbeturina te hedhura qe nuk preken nga punonjesit e pse cdo muaj marrin pagesen pastrojn vetem pjeset e para sa per tu dukur ndersa tjerat sduan ta din isha sot per te vizituar te afermin tim qe ka vite qe ka ndruar jet nuk munda as te afrohesh dot per shkak te barit madh dhe mbetjeve te medha qe e kane rrethuar qe jam munduar shpesh here te pastroj po sja dal dot pasi ka shume dhe frika e gjarprinjeve ju lutem ta publikoni qe te vejn dore kta punonjes qe pervecese mbushin xhepat e tyre sduan te dijn qe ato prehen te afermit e zemres tone dhe kemi nevoj ti takojm gje qe spo mundemi te afrohemi do ju isha mirnjohese nqs do e benit publike qe dhe ne te qetesohemi sadopak pasi skemi zgjidhje tjeter . Varrezat e Laknasit (Kamez)