Një qytetar nga Lezha ka denoncuar për JOQ një rast që ngre pikëpyetje mbi mënyrën si lëshohen gjobat në vend. Sipas tij, ka marrë një gjobë në Tiranë, ndonëse prej më shumë se një viti ndodhet në arrest shtëpie dhe makina në fjalë është jashtë përdorimit prej kohësh.
Ai thotë se mjeti ka qenë i dëmtuar në një aksident para më shumë se dy vitesh, targat i mban ende në shtëpi dhe mjetin e ka shitur për skrap. Megjithatë, së fundmi ka marrë një gjobë si pronar i saj, në një kohë kur nuk ka asnjë lidhje me përdorimin e makinës.
Qytetari, i shqetësuar, thotë:
“Jam nga Lezha, desha të tregoj një problem që ndoshta është i zakonshëm. Kam marrë një gjobë në Tiranë edhe pse kam një vit e ca që jam në arrest shtëpie. Makina ka qenë e prishur nga një aksident para dy vitesh, targat i kam në shtëpi, dhe e kam shitur për hekur. Po ju dërgoj dhe foton e gjobës.”
Ky rast ngre shqetësimin për gabime të mundshme në sistemin e gjobave, sidomos kur bëhet fjalë për mjete që nuk qarkullojnë më, apo kur pronarët e tyre ndodhen nën masa sigurie. Qytetari kërkon që autoritetet të shqyrtojnë çështjen dhe të bëjnë verifikimet e nevojshme.