Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në afërsi të zonës së Shkëmbit të Kavajës, ku dy persona që po lundronin me një mjet Jet Ski kanë humbur kontrollin dhe kanë rënë në ujë, policia ka dalë me një njoftim zyrtar. Mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:15, kur shërbimet e Policisë Kufitare në Portin e Durrësit janë njoftuar për incidentin dhe kanë reaguar menjëherë duke shkuar me mjet lundrues për të dhënë ndihmën e parë.
Bëhet me dije se dy personat u nxorën nga uji dhe u transportuan menjëherë drejt portit me qëllim dërgimin në spital. Sipas verifikimeve paraprake të ekipit të urgjencës që priste në port, njëri prej tyre, S. O., 34 vjeç, banues në Angli, fatkeqësisht kishte ndërruar jetë, ndërsa personi tjetër, V. B., 31 vjeçe, gjithashtu banuese në Angli, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe është shtruar menjëherë në spital.