Një kopje e rrallë e Kuranit, e dhuruar nga Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan po ruhet me kujdes në Xhaminë e Kalasë së Prezës, një monument fetar dhe historik pranë Tiranës. Kjo xhami ndodhet brenda mureve të kalasë së lashtë të Prezës, një vend me rëndësi të madhe kulturore dhe turistike, rreth 22 kilometra larg kryeqytetit Tiranës.
Xhamia është e ndërtuar gjatë periudhës osmane në mes të viteve 1528 dhe 1547 për t'i shërbyer ushtarëve të stacionuar në kala dhe banorëe të zonës. Objekti u rikthye në jetë falë një restaurimi nga Agjencia Turke për bashkëpunim dhe Koordinim.
Ndër objektet më të çmuara të xhamisë është një Kuran i dhuruar nga Erdogan gjatë vizitës së tij në Shqipëri në vitin 2015, me rastin e ceremonisë së hedhjes së gurit të parë për Xhaminë e Namazgjasë. Ky Kuran, i cili dallohet për kaligrafinë, mjeshtërinë dhe vlerën historike, konsiderohet një artefakt unik.
Kaligrafi i njohur osman, Ahmed Karahisari, shkroi dorëshkrimin origjinal, ndërsa kopja që ekspozohet në xhami u përgatit në vitin 2013 nga Fondacioni i Arteve Klasike Turke. Origjinali ruhet aktualisht në Pallatin Topkapı në Stamboll.
Kasem Hafizi, imami 78-vjeçar i xhamisë, i cili ka shërbyer për besimtarët për 33 vite, i tha Agjencisë Anadolli (AA) se ky Kuran është ndër më të rrallët në botë. Hafizi e përshkroi Kuranin si një dhuratë me vlerë të lartë, duke theksuar se shumë vizitorë dhe besimtarë shprehin admirim kur e shohin.
“Xhamia jonë ruan një Kuran shumë të veçantë, të dhuruar nga Presidenti Rexhep Tajip Erdoga gjatë hapjes pas restaurimit të bërë nga TIKA. Ai ka një stil unik kaligrafie dhe peshon rreth 17 kilogramë. Përmasat e tij janë 60 centimetra gjatësi, 42 centimetra gjerësi dhe 8 centimetra trashësi.”