Rruga dytësore Vorë–Marikaj është kthyer sot në një kaos të vërtetë për shkak të parakalimeve të rrezikshme dhe të paligjshme nga ana e shumë drejtuesve të automjeteve. Pavarësisht se rruga është me një korsi për çdo drejtim, shoferë të papërgjegjshëm kanë zgjedhur të lëvizin në krahun e kundërt për të anashkaluar trafikun, duke bllokuar totalisht qarkullimin dhe krijuar situata të rrezikshme për aksidente.
Një qytetar që ka dërguar pamjet dhe shqetësimin e tij për JOQ shkruan:
“Përshëndetje JOQAlbania, nuk e di nëse do e publikoni, por kjo që ndodh është çmenduri. Jemi në rrugën dytësore Marikaj duke ikur për në Durrës dhe shikoni çfarë bëhet: nuk qëndrojnë në rresht, por vijnë pafund makina që kalojnë në korsinë që është për krahun e kthimit. Nuk e di a do marrë fund kjo histori në vendin tonë, dhe nuk kuptoj pse nuk del një njoftim nga policia që do bllokohet patenta për ata që nuk qëndrojnë në rresht, dhe plus gjoba të rënda. Ju lutem publikojeni se kjo po ndodh në çdo rrugë kështu. Faleminderit!”
Fenomeni i parakalimeve të paligjshme në rrugë të ngushta është kthyer në një problem të përditshëm në shumë zona të vendit, ku mungesa e monitorimit nga autoritetet dhe tolerimi i shkeljeve të tilla nxit sjellje të rrezikshme dhe pa përgjegjësi nga shumë drejtues automjetesh.
Në mungesë të masave konkrete dhe kontrolleve efektive, rrugët urbane dhe interurbane po kthehen gjithnjë e më shumë në burim tensioni, vonesash dhe rreziku për jetën e qytetarëve.