Dy të vdekur dhe mbi 400 të arrestuar pas fitores së PSG-së në Champions League

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 01.06.2025, 11:02

Një natë festimesh pas triumfit të PSG-së në Ligën e Kampionëve është kthyer në tragjedi në Francë. Bilanci paraprak flet për dy persona të vdekur, 192 tifozë të plagosur dhe 426 persona të ndaluar, nga të cilët 417 vetëm në Paris.

Në Dax, një 17-vjeçar humbi jetën pasi u godit me thikë në kraharor gjatë festimeve. Në Paris, një vajzë 20-vjeçare që po udhëtonte me skuter u përplas për vdekje nga një automjet me tifozë.

Në zonat kyçe të kryeqytetit si Champs-Élysées, Trocadéro dhe pranë Parc des Princes, atmosfera festive u shndërrua në përplasje të dhunshme mes grupeve të tifozëve dhe forcave të rendit. Policia përdori ujë me presion të lartë për të shpërndarë turmat që thyen barriera sigurie dhe shkatërruan hapësira publike.

Disa automjete u dogjën pranë stadiumit, ndërsa mobilieri urban, vitrinat e dyqaneve dhe bicikletat me qira u dëmtuan në mënyrë të konsiderueshme.

Sipas autoriteteve, pjesa më e madhe e personave të ndaluar akuzohen për posedim mjetesh piroteknike dhe sende të rrezikshme. 216 prej tyre ndodhen aktualisht në paraburgim, ndërkohë që hetimet vijojnë për identifikimin e personave përgjegjës për incidentet më të rënda.

Ndërkohë, policia pariziene ka deklaruar se trazirat nisën që gjatë pjesës së dytë të ndeshjes, kur PSG ishte në avantazh, dhe fajësoi për situatën një “publik me qëllime të këqija” që kishte shkuar jo për të festuar, por për të provokuar dhunë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit