Izraeli thirrje ndërkombëtarëve: Ndaloni programin bërthamor të Iranit para se të jetë tepër vonë!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 31.05.2025, 21:33

Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) ka publikuar një raport konfidencial që hedh dritë mbi aktivitetet e fshehta bërthamore të Iranit në tre lokacione të paautorizuara, të cilat kanë qenë prej kohësh nën hetim. Sipas raportit të kërkuar nga Bordi i Guvernatorëve i IAEA-së, Irani ka përdorur materiale bërthamore të padeklaruara dhe ka kryer eksperimente të strukturuara që lidhen me prodhimin e armëve bërthamore.

Në dokument thuhet se këto aktivitete të paligjshme janë zhvilluar në Lavizan-Shian, Varamin dhe Turquzabad, ndërsa materiale bërthamore dhe pajisje të kontaminuara janë ruajtur në Turquzabad deri në vitin 2018. Po ashtu, në Lavizan-Shian, një disk prej metali uraniumi është përdorur të paktën dy herë për prodhimin e një burimi neutronik eksploziv, proces që përdoret për të nisur shpërthimin e një arme bërthamore.

Raporti, i cili konsiderohet si më përfundimtari deri tani për aktivitetet e Iranit, konstaton se bashkëpunimi i Teheranit me IAEA-në vazhdon të jetë “nën nivelin e kënaqshëm” dhe se disa gjurmë uraniumi në dy prej katër lokacioneve të hetuara vijojnë të mbeten të paqartësuara.

Kjo ka shtyrë SHBA-në, Britaninë, Francën dhe Gjermaninë që të propozojnë një rezolutë në takimin e ardhshëm të Bordit të Guvernatorëve, më 9 qershor, që mund të shpallë Iranin në shkelje të detyrimeve të tij për mos-përhapjen e armëve bërthamore, diçka që nuk ka ndodhur që prej gati 20 vitesh.

Irani, nga ana tjetër, e ka quajtur raportin “politikisht të motivuar” dhe ka paralajmëruar se do të marrë masa ndaj çdo veprimi të mundshëm kundër tij.

Pas publikimit të këtij raporti, zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, ka bërë një thirrje urgjente drejtuar komunitetit ndërkombëtar, që të veprojë menjëherë për të ndaluar programin bërthamor të Iranit, duke theksuar se ata kanë uranium të mjaftueshëm për të prodhuar deri në nëntë bomba bërthamore, nëse vijon pasurimi.

Në deklaratën e plotë të Zyrës së Kryeministrit thuhej:

“Gjetjet e IAEA-së konfirmojnë sërish atë që Izraeli ka paralajmëruar prej vitesh: Irani ka një program sekret për prodhimin e armëve bërthamore, ka mashtruar komunitetin ndërkombëtar dhe ka mbajtur materiale bërthamore të fshehta në vende të ndryshme. Ne i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar të veprojë menjëherë për të ndaluar Iranin përpara se të jetë tepër vonë. Bota nuk mund të lejojë një regjim që kërkon shkatërrimin e Izraelit të armatoset me armë bërthamore.”

Thirrja e Netanyahut ka ngritur shqetësime të reja për përshkallëzimin e tensioneve në Lindjen e Mesme dhe për një ringjallje të mundshme të një krize ndërkombëtare për armët bërthamore. Ndërkohë, pritet që Irani të përshpejtojë edhe më tej programin e tij bërthamor si reagim ndaj këtij presioni.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit