Daljet nga Unaza e Madhe të Tiranës vijojnë të jenë ndër pikat më problematike të trafikut në qytet. Në shumë segmente të saj, sidomos në orët e pikut, formohen radhë të gjata automjetesh dhe kaos në lëvizje, ku drejtuesit e mjeteve shpesh ndjekin rrugë të gabuar për të fituar pak minuta më shumë.
Një nga pikat më të ngarkuara është dalja pranë zonës së njohur si “Pallati me Shigjeta”, ku çdo ditë përsëritet e njëjta skemë: automjete që futen në korsi të gabuar, duke krijuar dy rreshta, bllokuar rrjedhën normale të trafikut dhe rritur rrezikun për incidente.
Në një video të dërguar nga një qytetar, vihet re edhe një automjet me fenelina policie që ndjek të njëjtën praktikë, duke përdorur korsinë e gabuar për të dalë nga unaza, në mënyrë të kundërligjshme, njësoj si dhjetëra drejtues të tjerë. Ky veprim, përveçse dëmton besimin te rendi dhe shembulli publik, shton edhe më shumë tensionin në qarkullim.
Mesazhi i qytetarit:
“Ja JOQ, ja policja. Kjo është police, shiko si futen dysh këtu dhe ç’taksirat kanë këto të tjerët të presin.”
Fenomeni i makinave që futen “dysh” në dalje është kthyer në praktikë të përditshme në shumë pika të Tiranës. Mungesa e patrullimit, sinjalistikës dhe ndëshkimeve e bën situatën edhe më të vështirë për drejtuesit që respektojnë rregullat dhe detyrohen të presin në trafik për shkak të shkelësve.
Ndërkohë, institucionet përgjegjëse vijojnë të mos reagojnë ndaj një problemi të njohur dhe të përditshëm, që jo vetëm bllokon qytetin, por edhe dëmton kulturën rrugore.