Këto pamje flasin vetë! Parku i Liqenit Artificial, një nga të vetmet zona të gjelbra të mbetura në Tiranë, është sakrifikuar në emër të një koncerti muzikor.
Rreth 43 000 m² hapësirë publike janë shndërruar në kantier, për t’i hapur rrugë një shfaqjeje muzikore të organizuar nga Noizy në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës.
Procesi i përgatitjes nisi që një muaj e gjysmë më parë: fillimisht u prenë pemë, u hoq bari, dhe më pas vendi u mbulua me zhavorr, ndërsa skenografia gjigande vazhdoi të zinte vend aty ku dikur qytetarët shëtisnin apo pushonin nën hijen e pemëve. Kjo ndërhyrje brutale është përshkruar nga shumë aktivistë si një "masakër mjedisore", që tregon përbuzjen e institucioneve për mjedisin dhe për të mirën e përbashkët.
Por pas kësaj ngjarjeje nuk fshihet thjesht një koncert. Fshihet një marrëdhënie e qartë interesash mes artistit dhe pushtetit. Noizy ka qenë një figurë e angazhuar politikisht në mbështetje të qeverisë, i pranishëm në fushata elektorale, madje edhe autor i këngës zyrtare të fushatës së 11 majit.
Tani, qytetarët e Tiranës kanë arsye të forta për të pyetur:
A është dhënia e një pjese të parkut publik, një shpërblim për “shërbimet” politike të reperit? Kush mban përgjegjësi për dëmin e pakthyeshëm mjedisor? Kush do ta rikthejë këtë zonë në gjendjen e mëparshme?
Në një qytet ku betoni përparon me ritëm të frikshëm dhe gjelbërimi mbijeton me zor, kjo ndërhyrje për të favorizuar një individ, sado i famshëm apo i afërt me pushtetin të jetë, është një tjetër dëshmi se hapësirat publike po përdoren si monedhë politike dhe jo si pasuri e përbashkët që duhet mbrojtur.
Në vend që të ruajë dhe të shtojë hapësirat e gjelbra, qeveria dhe bashkia duket se janë të gatshme t'i flijojnë ato për interesa të ngushta politike dhe personale. Ndërsa qytetarëve u mbetet vetëm tymi, zhurma, dhe një park më pak.