Partia Demokratike dhe Partia Socialiste duket se i kanë lënë mënjanë “përplasjet” për të bashkuar votat në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), duke rrëzuar kërkesën e katër kandidatëve demokratë për rinumërim të votave preferenciale.
Me rezultatin 4 me 1, KAS vendosi se kandidatët Ilir Alimehmeti, Mimoza Hajdarmataj, Lisandër Hoxha dhe Ilirjana Kuçana nuk mund të konsiderohen palë të ligjshme për të kërkuar rinumërimin e votave të tyre, me argumentin se kjo e drejtë i takon vetëm subjektit politik.
Partia Demokratike votoi kundër kërkesave të kandidatëve të saj, ndonëse kryetari Sali Berisha vetëm pak ditë më parë ishte shprehur publikisht se mbështeste çdo përpjekje për transparencë.
“Ne nuk e bllokojmë askënd që të kërkojë transparencë,” ishte shprehur ai.
Por në praktikë, ndodhi e kundërta. Përfaqësuesit e PD-së në KAS, bashkë me kolegët e PS-së, votuan kundër kandidatëve të cilët pretendonin parregullsi serioze në procesin e numërimit të votave.
Vetëm Ilir Rusmali votoi në favor të kandidatëve, duke qenë i vetmi që mbajti qëndrimin se ata duhet të kishin të drejtën e ankimit për fatin e votave të tyre.
Në një reagim për mediat, Ilir Alimehmeti e quajti vendimin një “artificë të pakuptimtë ligjore”, duke theksuar se nuk u morën parasysh provat konkrete që ai dhe kolegët e tij paraqitën.
“De facto nuk u morën me përmbajtjen, por me një formë teknike, ndërkohë që kryetari i PD është shprehur publikisht pro. Kemi vërejtur parregullsi të dokumentuara dhe diferenca mes procesverbaleve dhe videove të numërimit”, u shpreh Alimehmeti.
Edhe kandidatja Ilirjana Kuçana ngriti akuza për manipulim të votës, duke pretenduar se kishte identifikuar kuti ku votat e saj ishin tjetërsuar dhe kaluar kandidatëve të tjerë.
Nga ana tjetër, anëtari i KAS-it, Ledio Braho, argumentoi se vendimi është në përputhje me Kodin Zgjedhor, sipas të cilit vetëm subjektet politike, dhe jo kandidatët individualë, mund të kërkojnë rinumërim votash. Ai tha se i qëndron ligjit dhe se ky qëndrim është ndjekur edhe në raste të mëparshme, përfshirë atë të vitit 2021.
Ironikisht, demokratët që kërkuan transparencë u refuzuan pikërisht nga partia që i propozoi si kandidatë. Ndërsa fjalët për “vullnetin për transparencë” mbeten në konferenca shtypi, veprimet konkrete tregojnë një tjetër realitet. Dhe kur votat bashkohen mes kundërshtarëve tradicionalë për të heshtur zërat brenda vetes, publiku ka të drejtë të pyesë: Kujt i shërben realisht kjo “opozitë”?