Pas denoncimit të publikuar mbrëmjen e 29 majit në redaksinë e JOQ Albania, ku Skerdian Bushi, 27-vjeçar nga fshati Darëzezë i Fierit, u akuzua për tentativë vrasjeje me thikë dhe sjellje agresive ndaj Policisë së Shtetit, redaksia jonë ka marrë një reagim të gjatë dhe të detajuar nga vetë Bushi. Në mesazhin e tij, ai hedh poshtë akuzat, duke pretenduar se janë "të trilluara" dhe "pjesë e një plani të organizuar kundër tij" nga persona të caktuar. Bushi shpreh pendesë për fyerjet ndaj policisë, por ngre dyshime të forta për lidhjet e denoncuesve me krimin dhe organet e rendit, duke kërkuar drejtësi dhe hetim të plotë nga Prokuroria e Përgjithshme.
Në reagimin e tij, Skerdian Bushi pretendon se ngjarja e 27 majit 2025, për të cilën u akuzua për tentativë vrasjeje, është një inskenim i organizuar nga dy persona, të identifikuar me inicialet A.P. dhe M.D., të cilët ai i quan të afërm me njëri-tjetrin. Sipas tij, ai nuk e njeh fare personin me iniciale A.P., i cili ka bërë denoncimin për tentativë vrasjeje, dhe akuzon këtë të fundit se ka bashkëpunuar me të afërmin e tij, M.D., për të sajuar një skenar kundër tij.
Ai shpjegon se më 22 shtator 2024, ai kishte bërë një kallëzim në Komisariatin e Fierit kundër shtetasit M.D. për një çështje të paqartësuar. Pas presionit nga të njohur të përbashkët, më 26 maj 2025, ai hoqi kallëzimin ndaj M.D. për të shmangur konfliktin. Megjithatë, vetëm një ditë më pas, më 27 maj, kushëriri i M.D., A.P., e denoncoi atë për tentativë vrasjeje. Bushi e konsideron këtë një hakmarrje të planifikuar dhe pyet se përse videoja e incidentit, e cila u publikua nga denoncuesi, nuk tregon fillimin e ngjarjes. Ai dyshon se kjo mungesë e pamjeve të plota fshihet për të manipuluar narrativën dhe për të mbuluar veprimet e personave të tjerë të përfshirë.
Për sa i përket sjelljes së tij ndaj policisë, e cila u dokumentua në video dhe u cilësua si tejet fyese, Bushi shpreh keqardhje për fjalorin e përdorur, duke thënë se ka kërkuar ndjesë për fyerjet. Megjithatë, ai pretendon se sjellja e tij agresive erdhi si pasojë e refuzimit të një personi të pranishëm në vendngjarje për të bashkëpunuar me policinë. Sipas tij, ky person, i cili shfaqet në fillim të videos, ka folur gjithashtu me fjalë të rënda, por kjo pjesë e pamjeve mungon ose nuk është regjistruar nga denoncuesi. Bushi thotë se ka kontaktuar policinë mbi 20 herë atë natë, por kur forcat e rendit mbërritën, situata u përshkallëzua për shkak të qëndrimit të personave të tjerë.
27-vjeçari pretendon se shtetasi Albano T. ka një të kaluar të dyshimtë dhe ngre pyetje për mënyrën se si ai ka shmangur ndjekjen e plotë ligjore në të kaluarën. Ai gjithashtu shpreh shqetësime për aktivitetet e dyshuara të paligjshme të Albano T., të cilat, sipas tij, kanë sjellë shqetësime në komunitetin e Darëzezës për shkak të zhurmës dhe aktiviteteve deri në orët e vona.
Bushi mohon kategorikisht se është konfliktuar fizikisht me personin A.P., duke pretenduar se, përkundrazi, ai vetë ka qenë viktimë e dhunës dhe ka marrë mjekim në Tiranë për lëndimet e pësuara. Ai thekson se në natën e ngjarjes, më 27 maj, ka qenë në gjendje të dehur, çka mund të ketë lejuar personat e tjerë të përfitojnë nga situata për të sajuar akuzat. Për sa i përket thikës, të cilën denoncuesi e cilësoi si armë të rrezikshme, Bushi thotë se ekspertiza do të përcaktojë se kujt i përkiste mjeti prerës.
Ai thekson se nuk ka asnjë lidhje me Policinë e Shtetit dhe se akuzat për mbrojtje nga policia i përshtaten më shumë denoncuesit Albano T. Bushi bën thirrje që Prokuroria e Përgjithshme të hetojë jo vetëm ngjarjen e 27 majit, por edhe të kaluarën e Albano T., përfshirë lirimin e tij të dyshimtë nga burgu dhe aktivitetet e paligjshme të lojërave të fatit. Bushi shprehet i bindur se drejtësia do të zbardhë të vërtetën dhe se personat që e kanë akuzuar do të mbajnë përgjegjësi për shpifje.
Në reagimin e tij, Skerdian Bushi shton se është shoqëruar dy herë në polici bashkë me personat e përmendur, ku çështjet janë zgjidhur me mirëkuptim reciprok dhe pa ndikim nga Policia e Shtetit, e cila, sipas tij, ka vepruar gjithmonë sipas ligjit. Ai këmbëngul se akuzat kundër tij janë të planifikuara nga shtetasit me iniciale A.P. dhe M.D., të cilët, sipas Bushit, ushtruan dhunë ndaj tij një ditë pasi ai tërhoqi një kallëzim penal kundër M.D.
27-vjeçari po ashtu pretendon se ka pasur përplasje të mëparshme me një nga personat e përfshirë për shkak të aktiviteteve të dyshuara të paligjshme të këtij të fundit.
Reagimi i plotë i 27-vjeçarit:
"Përshëndetje JOQ, jam personi i videos, Skerdian Bushi. Meqenëse personat duan gjyq publik, jam i detyruar të flas edhe unë, përderisa e bënë publike, për të justifikuar veten që bëjnë si viktima, paçka se çështja është në prokurori! Lidhur me ngjarjen e datës 27 maj, dua të them që personin në fjalë me iniciale A.P. nuk e njoh fare, por ai mua më njeh shumë mirë, përderisa na qenka edhe denoncues. E kuptova që atë natë planin e tyre të thurur kundrejt meje! Në datën 22 shtator 2024 kam bërë kallëzim në komisariatin e Fierit për shtetasin me iniciale M.D., që është kushëriri i personit që pretendon se i paskam bërë tentativë vrasje, A.P. Ky është një trillim në bashkëpunim! Si ka mundësi që në datë 26 maj 2025 unë shkoj, i heq denoncimin shtetasit M.D. për shkak të të njohurve të përbashkët që ma kërkuan këtë gjë, insistonin ta hiqja, pasi u binda shkova e hoqa, edhe 1 ditë më mbrapa kushëriri i atij personi, A.P., më denoncon për tentativë vrasjeje që as nuk e njoh fare? Ma shpjegoni pak përse videon nuk e tregojnë që nga fillimi?
Çfarë duan të fshehin! Përse fillova unë të flisja në atë mënyrë policisë? Sepse personi që flet në video nuk pranonte të vinte! Dua të kërkoj ndjesë për fyerjet ndaj policisë! Policinë e kisha marrë mbi 20 herë në tel edhe kur erdhi policia, personi që shfaqet në fillim të videos i kundërshton. Po aty është një pjesë e mirë e videos që nuk shfaqet ose ndoshta denoncuesi i videos nuk e ka kapur fare pjesën kur personi tjetër fliste fjalë të rënda! I kthehem denoncuesit që më quan kriminel, ti Albano T. që je ndaluar në vitin 2019 me 29 kg marijuanë në bashkëpunim me persona të tjerë, nga policia e Elbasanit, si ka mundësi që dole kaq shpejt? Ku janë lidhjet e tua me shtetin? Se kam dëgjuar që këtu në Shqipëri me 1 gram bën 3-4 vjet burg, ndërsa ti me 29 kg nuk e di a i plotesove dot 3. Çfarë bëre ti pas daljes nga burgu? Hape lojëra fati, fillove të bëje tavolina pokeri që shkonin deri në 20 mijë euro nata. Kush është krimineli nga ne të dy, Albano T.? Nuk ishe ti ai që nga ora 8 e darkës deri në 6 të mëngjesit dëgjoheshin klientët e tu të pokerit që edhe një lagje e Fierit nuk mbushesh me makina aq sa e mbushje ti qendrën e Darëzezës? Kush i merrte njerëzit peng të cilët të kishin borxhe nga kumari? Kush është krimineli nga ne të dy? Personi në fillim të videos do denoncohet për shpifje se nuk jam konfliktuar për asnjë moment me të! Për sa i përket mjetit prerës, do e përcaktojë ekspertiza se kush e ka pasur! Si ka mundësi që sa herë që policia do vijë në Darëzezë për kontrolle të lojërave të fatit, ti ishe i pari që e merrje vesh edhe filloje fshihje edhe i fsheh akoma pajisjet e lojërave të fatit? Je bërë problem me zhurmën deri në orët e vona në qendër të fshatit për shkak të biznesit tënd të paligjshëm! Kush të informonte, cilat ishin lidhjet e tua me policinë e shtetit ose me lart akoma, se kam idenë nga i merrje ato informacione! Po duket fare qartë që ti këto gjëra i ke trilluar në bashkëpunim me ata të tjerët edhe do përgjigjeni para ligjit për këtë, të jeni të bindur! Kriminel jeni ju që jepni deklarata të rreme edhe jeni të lidhur me krimin kokë e këmbë!
Shtetasi të cilin e kisha denoncuar, edhe pasi ja tërhoqa kallëzimin në datë 26 maj, në datë 27 kushëriri i tij më denoncon për tentativë vrasje? Aty thotë që jam konfliktuar fizikisht me shtetasin A.P., kjo gjë nuk është e vërtetë. Në fakt, i dhunuari kam qenë unë, kam marrë edhe mjekim në Tiranë për këtë fakt, sepse policinë e shtetit, siç e kam theksuar, e kam marrë në tel, por nga denoncues dola dhunues! Theksoj që në datë 27 maj kam qenë në gjendje të dehur edhe personat në fjalë kanë përfituar nga ky rast. Nuk kam asnjë lidhje me policinë e shtetit, por me sa duket denoncuesi është duke folur për veten e tij kur përmend mbrojtjen e policisë karshi tij, jo meje!
Ky është shtetasi Albano T. i cili do të japë llogari para ligjit për shpifjet e bëra, që mendon se me anë të një video do t’i shpëtojë drejtësisë, por jam i bindur se shteti do ta zbardhë çështjen edhe të vendosë mbrapa hekurave këta halabakë që e kanë kthyer fshatin në një tavolinë pokeri. Do ju lutesha ta publikonit reagimin tim të plotë, edhe kërkoj nga Prokuroria e Përgjithshme të hetojë se si ka dalë në mënyrë të dyshimtë nga burgu shtetasi Albano T., sa i pushtetshëm është që ka korruptuar gjykatat. Pres një reagim nga ju të jeni transparent me publikun.
Dy herë jam shoqëruar edhe me personat për të cilët kam folur dhe me të cilët kam pasur përplasje më herët. Kemi arritur të mbyllim gjithçka me mirëkuptim mes njeri-tjetrit. Policia nuk ka pasur asnjë ndikim në këtë çështje, pasi ka vepruar gjithmonë në përputhje me ligjin.
Ndërsa personat që më akuzojnë se i kam çarë, sipas meje e kanë pasur të planifikuar çdo gjë. Këtë mund ta kuptoni që në fillim, nëse shikoni me kujdes provat dhe faktet.
Policia e di shumë mirë se këta persona kanë lidhje me shtetasin M.D., për të cilin unë kisha bërë një kallëzim penal. Vetëm një ditë pasi vendosa ta tërheq kallëzimin, u fyeva nga personat e sipërpërmendur, të cilët më pas ushtruan edhe dhunë ndaj meje.
Me shtetasin A.T. jam konfliktuar edhe më parë, për shkak të aktivitetit ilegal që, sipas meje, ai ushtron."
Sqarim: Redaksia e JOQ Albania thekson se rasti është në hetim nga Prokuroria dhe çdo akuzë e përmendur në këtë artikull përfaqëson vetëm deklaratat e palës së interesuar, të cilat nuk janë konfirmuar nga institucionet ligjore.