Një telefonatë anonime që paralajmëronte për praninë e një bombe në parkingun e Hotel Plaza në Tiranë ka vënë në lëvizje strukturat e sigurisë pak minuta më parë.
Menjëherë pas njoftimit, forcat xheniere dhe efektivët e policisë janë nisur drejt vendit të ngjarjes, duke rrethuar zonën dhe duke kryer një evakuim të pjesshëm të ambienteve përreth, përfshirë edhe godinën e hotelit.
Ndërkohë, burime nga policia bëjnë me dije se ekziston mundësia që të bëhet fjalë për një alarm të rremë, por po kryhen të gjitha verifikimet në terren për të përjashtuar çdo rrezik potencial.
Njoftimi paraprak i Policisë:
Rreth orës 19:35, në Sallën Operative të DVP Tiranë ka telefonuar një punonjëse e stafit të një hoteli në rrugën “Abdi Toptani”, me pretendimin se dikush i panjohur e ka njoftuar për vendosjen e një sasie eksplozivi në parkimin e këtij hoteli.
Menjeherë në vendngjarje ka shkuar forca të shumta policie të cilët kanë bërë rrethimin e zonës dhe evakuimin e personave të hotelit. Gjithashtu janë njoftuar forca xheniere për kontrollin dhe verifikimin e informacionit.
Në përfundim të kontrollit dhe veprimeve hetimore do të keni një informacion me të detajuar për rastin.