Shkarravitet fjala “femicid” nga pllaka kushtuar Ilaria Sulës në Itali

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 30.05.2025, 18:46

Një akt vandal është regjistruar në Universitetin e Salentos në Itali, ku është dëmtuar pllaka përkujtimore kushtuar Ilaria Sulës, një studente shqiptare 22-vjeçare e vrarë brutalisht nga ish-i dashuri i saj në Romë.

Në pllakën që ndodhej në klasën “Studium 6”, ishte shkruar se vendi në bankë ishte simbolikisht i rezervuar për Ilarian, por fjala “femicid” ishte fshirë me stilolaps të zi, duke mohuar kështu natyrën gjinore të krimit.

Universiteti reagoi menjëherë përmes Departamentit të Shkencave Humane dhe Sociale (DISUS), duke e quajtur këtë akt fyese dhe në kundërshtim me vlerat e respektit dhe përfshirjes që institucioni përfaqëson. Në deklaratën zyrtare, u theksua se lufta kundër dhunës me bazë gjinore është një angazhim i përditshëm dhe se përmes edukimit dhe nismave të ndryshme do të vazhdohet promovimi i ndërgjegjësimit.

Ngjarja ka tronditur edhe familjen e Ilarias, veçanërisht babanë e saj, Flamur Sula, i cili shprehu dhimbje dhe indinjatë përmes një deklarate publike, duke theksuar se ky veprim ofendon kujtimin e vajzës së tij dhe të viktimave të tjera të dhunës ndaj grave.

Rasti ka ngjallur reagime të shumta në publik dhe në rrjetet sociale, duke rikthyer në vëmendje rëndësinë e edukimit dhe sensibilizimit për barazinë gjinore.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit