Rruga që Rakip Suli shtroi gjatë fushatës çahet si petull me shiun e parë

Shkruar nga: S Shtjefni | Publikuar më: 30.05.2025, 15:54

Vetëm pak javë pas përfundimit të punimeve në një nga rrugët e zonës së Babrru Kodër, disa reshje të lehta shiu kanë mjaftuar që të zbulojë fytyrën reale të investimeve elektorale. Rruga, e cila është asfaltuar gjatë fushatës për zgjedhjet vendore të 11 majit, është shkatërruar plotësisht, duke ngritur alarmin për cilësinë tejet të dobët të punimeve dhe abuzimin e rëndë me fondet publike.

Qytetarët, të indinjuar, e cilësojnë situatën si një krim të hapur me taksat e tyre. Asfalti është çarë si petull, duke u kthyer në një burim rreziku për makinat dhe për jetën e kalimtarëve.

Kush do të mbajë përgjegjësi për këtë investim me standarde skandaloze të Bashkisë Kamëz të drejtuar prej Rakip Sulit? A duhet të nisë prokuroria një hetim për rastin?

“Përshëndetje JOQ, nuk mund të rrija pa e denoncuar këtë KRIM që po ndodh me taksat tona! Kjo rrugë në Babrru Kodër, që ndodhet nën administrimin e Bashkisë Kamëz, u bë vetëm një muaj më parë dhe sot është e shkatërruar komplet, sapo ra pak shi para dy ditësh!

Asfalt që çahet si petull, punime që nuk i rezistojnë as lagështisë më të vogël. Kush e ka marrë këtë tender? Me çfarë fytyre e ka firmosur Bashkia Kamëz këtë punë si të përfunduar?

Kjo është vjedhje me dorë të lirë e parave publike! Turp i madh! Dëmtohen makina, rrezikohet jeta e njerëzve, dhe askush nuk jep llogari!” shkruan qytetari.

Ironik është fakti se shumica e rrugëve të fshatrave nën administrimin e bashkisë Kamëz janë me rrugë të pa shtruara, për shkak se bashkia nuk ka ndërmarrë iniciativa investuese. Edhe një herë që bashkia shtroi një rrugë, cilësia e saj është skandaloze dhe u prish që me shiun e parë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit