Një situatë shqetësuese dhe potencialisht e rrezikshme është raportuar në rrugën “Frang Bardhi”, në Tiranë, ku prej më shumë se tre javësh një mace e egër dhe agresive po endet lirshëm dhe ka sulmuar disa banorë.
Sipas informacioneve nga vetë qytetarët, deri më tani janë regjistruar të paktën tre raste sulmesh, ku persona të ndryshëm janë gërvishtur dhe lënduar nga kjo mace e cila ka shkaktuar frikë dhe pasiguri të madhe në zonë.
Një prej të lënduarave ka marrë vaksinën kundër tërbimit dhe antibiotikë për një javë, pasi mjekët kanë dyshuar se kafsha mund të jetë e infektuar me tërbim – një sëmundje shumë e rrezikshme dhe e transmetueshme te njeriu.
Sipas banorëve, macja është parë të sulmojë në rrugë, të futet në hyrje pallatesh, madje edhe në disa dhoma hoteli, kur gjen dyert hapur. Ajo tenton të hyjë me forcë në ambiente të brendshme sapo dikush hap derën, duke rrezikuar sidomos fëmijët dhe të moshuarit.
Banorët thonë se kanë tentuar të kontaktojnë Bashkinë e Tiranës dhe institucionet përkatëse, por deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje apo ndërhyrje.
Ata i bëjnë thirrje autoriteteve të marrin masa urgjente për kapjen dhe izolimin e kafshës, si dhe për të kryer analizat e nevojshme për të përcaktuar nëse është e infektuar me tërbim apo ndonjë sëmundje tjetër ngjitëse.
Denoncimi:
Përshëndetje, Dua të ndaj me ju një rast shqetësues që po ndodh prej disa javësh në rrugën Frang Bardhi, Tiranë. Prej më shumë se 3 javësh një mace e egër endet në zonë dhe ka sulmuar disa banorë. Deri tani janë raportuar të paktën 3 raste sulmesh, ku njerëzit janë gërvishtur dhe lënduar, siç shihet edhe në foto.
Macja sulmon në rrugë por futet edhe në hyrjet e pallateve dhe sulmon, duke krijuar frikë dhe pasiguri për banorët. Kemi tentuar të kontaktojmë bashkinë, por nuk pergjigjet askush. Ju lutem, na ndihmoni për të gjetur një zgjidhje sa më parë.
“Bera tetanoz sepse mund te jet i terbuar sipas atyre qe pane te krahu im sepse terbimi transmetohet te njeriu Mora antibiotik per nje jave”, Ky eshte mesazhi i zonjes ne fjale
Nuk dihet e kujt eshte. Me shume gjasa eshte mace rruge. Eshte futur ne dhomat e hotel ku ka gjetur dyer hapur
Futet ne hyrjet e pallatit dhe ne momentin qe shikon qe hapet nje dere tenton te futet brenda. Mjeket kane dyshuar se mund ta kete kapur terbimi nga plaget qe i ka lene zonjes