Pavarësisht se rasti është denoncuar disa herë në redaksinë e JOQ Albania, ende asnjë institucion përgjegjës nuk ka marrë masa për të zgjidhur problemin serioz me pagesat e misioneve Frontex për efektivët e Policisë së Kufirit. Sot, një tjetër ankesë e mbërritur nga një prej këtyre punonjësve dëshmon se padrejtësia vazhdon, ndërsa gjendja po bëhet gjithnjë e më e rëndë.
Punonjësi shprehet se që nga viti 2022, qindra efektivë nuk kanë marrë ende asnjë pagesë për punën e kryer në kuadër të misioneve Frontex, ndërkohë që janë detyruar të shpenzojnë nga xhepi për të përmbushur detyrat në shërbim të kufirit.
“Kemi hequr bukën e fëmijëve tanë për të shkuar atje. Nuk na paguajnë djersën tonë. Nuk na japin asnjë përgjigje, nuk dimë më ku të drejtohemi. Ju keni ngelur e vetmja shpresë për ne që zëri ynë të dëgjohet,” shkruan ai për JOQ Albania.
Punonjësit denoncojnë se janë të shpërfillur, të gënjyer vazhdimisht nga strukturat financiare në Tiranë që menaxhojnë fondet e Frontex-it. Edhe pse këto fonde nuk vijnë nga buxheti i shtetit shqiptar, por direkt nga Bashkimi Europian, efektivët nuk i kanë marrë as të plota dhe as në kohë. Pjesa më absurde e situatës është se 20% e pagesës as nuk garantohet se do të shpërndahet ndonjëherë.
“Po ky është një mashtrim që vazhdon prej vitesh. Kemi mbetur pa pagesa që nga viti 2022. Në 2024 nuk kemi marrë asgjë, për 2025 nuk dihet fare çfarë do ndodhë. A është normale kjo? Ne nuk kërkojmë mëshirë, por atë që na takon me ligj!”
Ata kërkojnë që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit të marrë urgjentisht masa. Heshtja e tij dhe e institucioneve ka kthyer një problem financiar në një krizë morale dhe sociale për këta efektivë që sakrifikojnë për sigurinë e kufijve të Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.
JOQ Albania i bën thirrje publikisht Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit, si dhe përfaqësuesve të Frontex në Shqipëri që të japin llogari dhe të veprojnë menjëherë për të ndalur këtë padrejtësi që po shkatërron jetën e dhjetëra familjeve të ndershme shqiptare. Heshtja nuk është më opsion!