Rrugica pranë spitalit të Beratit në terr prej më shumë tre javësh, qytetari: Po thyejmë këmbët!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 29.05.2025, 23:45

Një qytetar nga Berati i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një denoncim shqetësues për mungesën totale të ndriçimit rrugor në rrugicën ku jeton, prej më shumë se 3 javësh.

Banori, duke folur edhe në emër të fqinjëve të tij, thotë se situata është bërë e padurueshme, veçanërisht për të moshuarit dhe personat e sëmurë që duhet të shkojnë në spitalin e qytetit. Ai thekson se ndodhen në errësirë të plotë, si në mesjetë, ndonëse paguajnë rregullisht taksën e ndriçimit.

Sipas tij, pavarësisht se janë drejtuar disa herë në bashkinë e rrethit, përgjigjja që marrin është gjithmonë e njëjtë: “E kemi ngritur si shqetësim.” Por ndërkohë nga ana e OSHEE-së, nuk është marrë asnjë masë për rikthimin e ndriçimit në rrugicën pranë spitalit të Beratit, më saktë në rrugën Kostandin Kristoforidhi, lagjja Kushtrim.

Denoncimi i plotë i qytetarit:

“Përshëndetje JOQ! Jam një qytetar nga Berati. Shqetësimi im dhe i banorëve të rrugicës ku jetojmë është se prej më shumë se 3 javësh rruga është në terr të plotë. Kemi vajtur në bashkinë e rrethit dhe na thonë ‘e kemi ngritur si shqetësim’, por nga OSHE nuk është marrë asnjë masë. Ka njerëz me halle, të sëmurë që duhet të venë në spital dhe po thyejnë këmbët, po rrëzohen. Rrugica jonë ndodhet pranë spitalit të rrethit, rruga Kostandin Kristoforidhi në lagjen Kushtrim. Paguajmë taksë ndriçimi dhe jemi në errësirë të plotë, si në mesjetë. Ju lutem, publikojeni, mbase bashkia apo OSHE do kujtohet të na sjellë ndriçimin në lagje. Po ju dërgoj dhe një video që ta shikoni në çfarë gjendje është kjo lagje.”

Pamjet që ka dërguar qytetari konfirmojnë fjalët e tij, errësira është totale dhe e frikshme, ndërkohë që kjo zonë ndodhet pranë një prej institucioneve më të rëndësishme, spitalit të qytetit.

JOQ Albania i bën thirrje Bashkisë Berat dhe OSHEE-së të marrin masa të menjëhershme për të rikthyer ndriçimin në këtë lagje, përpara se të ndodhë ndonjë aksident i rëndë për banorët që tashmë janë në rrezik çdo natë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit