Një histori e jashtëzakonshme vjen nga Argjentina, ku një grua e thjeshtë nga Villa Mercedes, e quajtur Veronica Acosta, mori papritur në llogarinë e saj bankare një shumë marramendëse prej 500 milionë pesos argjentinase (rreth 400 mijë euro), për shkak të një gabimi në sistemin elektronik të transfertave bankare në provincën San Luis. Në vend të pagesës mujore prej 8 mijë pesos që priste si mbështetje nga ish-bashkëshorti, ajo u gjend përballë një pasurie të papritur dhe nisi menjëherë ta shpenzonte.
Brenda pak minutash, ajo kreu mbi 60 transaksione: bleu një makinë, elektroshtëpiake si frigoriferë, televizorë të mëdhenj, mikrovalë, madje edhe kapak tualeti dhe pllaka për shtëpinë. “Mendova se ishin 500 mijë, jo milionë. Kisha shumë nevoja, shkova në supermarket, ndihmova familjen time, transferova para vëllezërve të mi,” deklaroi ajo për mediat lokale. Më tej shtoi: “Isha në një periudhë shumë të vështirë ekonomikisht. Mendova se ishte një dhuratë nga Zoti.”
Por entuziazmi zgjati pak. Pasi thesari i qeverisë zbuloi gabimin, fondet u bllokuan, dhe mbi Acostën dhe pesë persona të tjerë që përfituan nga transaksionet, u ngrit akuza për mashtrim ndaj shtetit. Sipas prokurorisë, disa nga blerjet dhe transferimet janë bërë në emër të të afërmve, gjë që i vë ata në pozitë të dyshimtë si bashkëpunëtorë.
Për të shmangur arrestimin, gjykata vendosi që të akuzuarit duhet të paguajnë një garanci prej 30 milionë pesos secili (rreth 23 mijë euro), një shumë që konsiderohet e paarritshme për Veronica-n dhe të afërmit e saj, që sipas avokatit Hernan Echevarria, janë njerëz të thjeshtë dhe pa precedentë penalë. “Nuk kemi të bëjmë me një rrjet mashtruesish. Ky është një gabim i pastër i qeverisë dhe tani po mundohen të fajësojnë qytetarët,” deklaroi ai.
Autoritetet konfirmojnë se rreth 90% e shumës së transferuar gabimisht është rikuperuar, ndërsa pjesa tjetër është bllokuar në llogari elektronike. E ardhmja e Veronica Acosta-s tani varet nga vendimi përfundimtar i gjykatës dhe nëse do të arrijë të paguajë shumën e kërkuar për të shmangur prangat.