Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR) ka akuzuar Serbinë se po furnizon fshehurazi Ukrainën me municione, duke shkelur qëndrimin e saj zyrtar të neutralitetit në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës. Në një deklaratë zyrtare me titullin “Industria serbe e armëve përpiqet t’i ngulë thikën pas shpine Rusisë”, SVR thotë se Serbia ka dërguar qindra mijëra predha për artileri dhe mbi një milion plumba për armë të vogla.
Sipas SVR-së, këto armë kalojnë përmes vendeve të treta, si Çekia, Polonia dhe Bullgaria, me dokumente të falsifikuara të përdoruesit përfundimtar. “Qëllimi është i qartë, vrasja dhe gjymtimi i ushtarëve dhe civilëve rusë,” thuhet në deklaratë.
Shërbimi rus përmend disa kompani të industrisë së mbrojtjes në Serbi, të cilat i cilëson si pjesë e një “linje montimi vdekjeje”, duke akuzuar se dëshira për fitim ka bërë që ata të harrojnë miqtë e vërtetë. “Rusia ka qenë gjithmonë pranë Serbisë në momentet më kritike të historisë së saj,” përfundon deklarata.
Ndërkohë, në qershor 2024, gazeta Financial Times raportoi se Serbia kishte eksportuar afro 800 milionë euro municione që përfunduan në Ukrainë përmes palëve të treta. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç nuk e mohoi këtë shifër, duke thënë se eksportet janë pjesë e "rilindjes ekonomike" të vendit. “Po, ne eksportojmë armë. Nuk mund t’i shesim as Ukrainës e as Rusisë, por kemi kontrata me amerikanë, spanjollë, çekë e të tjerë. Çfarë bëjnë ata me to, nuk është puna jonë,” deklaroi Vuçiç për FT.