Në një seancë plenare që zgjati më pak se një episod telenovele, Kuvendi u përfshi në debate të ashpra nga deputetët e opozitës, të cilët akuzuan ata të mazhorancës se në zgjedhjet e 11 majit bënë një ‘masakër elektorale’ duke vjedhur votat.
Por duket se ‘sherri’ i sallës i ka lënë vendin përqafimeve dhe afrimitetit mes kolegëve të cilët me sa duket i ka marrë malli pasi nuk janë takuar prej muajsh në kuvend.
Sapo nxorën këmbën nga salla e Kuvendit, deputetët i harruan akuzat dhe farsën elektorale, dhe u panë të përqafuar e të buzëqeshur sikur asgjë të mos kishte ndodhur.
Kështu, Ornaldo Rakipi dhe Ramadan Lika shtrënguan duart me përzemërsi, ndërsa Helidon Bushati dhe Frrok Gjini nuk u mjaftuan me kaq. Përqafimi ishte mënyra më e mirë për të shuar zjarrin e seancës.
Erion Braçe ndërkohë “rreh shpatullat” e Tritan Shehut si ngushëllim për humbjen e PD-së. E për t’i vënë kapakun, Nasip Naço dhe Ferdinand Xhaferri dolën së bashku nga Kuvendi, si dy shokë të vjetër që sapo kanë ndarë një drekë e jo një seancë me akuza.
Dhe ata që “digjeshin” më shumë në sallë, Flamur Noka dhe Gazment Bardhi, çuditërisht u panë duke qeshur lehtësisht, sikur tensioni i seancës të ishte thjesht një provë gjenerale për një shfaqje që askush nuk e merr seriozisht më.
Kështu është kur politika bëhet me fjalë të mëdha për publikun dhe shtrëngime duarsh për kamerat në dalje.