Infrastruktura në institucionet arsimore të zonave rurale mbetet në gjendje shqetësuese, ndërsa kushtet në të cilat detyrohen të ndjekin mësimin fëmijët në fshatra rrallëherë marrin vëmendjen e duhur.
Së fundmi, një banor i fshatit Bele në Kukës, ka denoncuar në redaksinë tonë situatën alarmante në shkollën 9-vjeçare të zonës. Megjithëse numri i nxënësve është i ulët në krahasim me të kaluarën, ata detyrohen të zhvillojnë mësimin në kushte të papërshtatshme, pa energji elektrike.
Sipas denoncimit, energjia elektrike në shkollë është rikthyer vetëm për një ditë, më 11 maj, kur u mbajtën zgjedhjet dhe është ndërprerë menjëherë më pas.
“Përshëndetje. Brenda mundësive jam banor i Kukësit. Të lutem, publikoje këtë video”, shkruan qytetari në mesazhin e tij.
E dhimbshme që në vitin 2025 ende ekzistojnë institucione arsimore në kushte kaq të degraduara, ku mungojnë edhe elementët më bazë si energjia elektrike.