Policia ka arrestuar Lorenc Telhallarin 24-vjeçarin e përfshirë në sherrin e ndodhur në datë 29 prill të këtij viti, pranë zyrave të PSD-së në zonën e Ali Demit në Tiranë.
Ai akuzohet për veprat penale “Prodhimi, mbajtja, blerja dhe shitja pa leje e armëve të ftohta” si dhe “Kanosja”.
Në datën 29 prill, Lorenci u përfshi në një konflikt me një person tjetër në zonë. Pas konfliktit të parë, ai u largua drejt banesës për t’u kthyer në vendin e ngjarjes bashkë me babain e tij Arjan Telhallarin.
Ky i fundit u pa me një armë automatike tip ‘Skorpion’, i cili sipas policisë nuk u përdor në ngjarje. Ai u arrestua nga policia pas ngjarjes.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 kapën dhe ndaluan shtetasin L. T., 24 vjeç, i shpallur në kërkim për veprat penale “Prodhimi, mbajtja, blerja dhe shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Kanosja”. Ky shtetas sëbashku me babain e tij shtetasin A. T( i ndaluar me datë 18 Maj), dyshohen si autorët e ngjarjes me datë 29.04.2025, në Ali Dem”, thuhet në njoftimin e policisë.