Shteti thirrje qytetarëve: Luftoni krimin me Policinë e Shtetit pa rrogë!

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 29.05.2025, 10:08

Nga sot mund të bëheni polic! Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim të ri me synim rregullimin e organizimin në fushat e ndërhyrjes së policimit vullnetar në Shqipëri.

Sipas këtij vendimi, qytetarët e interesuar mund të angazhohen si policë vullnetarë, duke punuar krah për krah me Policinë e Shtetit për të rritur sigurinë dhe rendin në komunitete. Nisma ka si synim të forcojë lidhjen mes qytetarëve dhe forcave të rendit, përmes përfshirjes së publikut në aktivitete që lidhen me sigurinë, ndërgjegjësimin dhe reagimin ndaj situatave emergjente.

Çfarë është roli i policit vullnetar?

Polici vullnetar është një individ që kontribuon pa pagesë, deri në 25 orë në javë, në veprimtari që ndihmojnë Policinë e Shtetit, pa qenë pjesë e strukturave të saj zyrtare dhe pa u paguar. Veprimtaria do të zhvillohet nën mbikëqyrjen e punonjësve të policisë dhe përfshin:

  • Sigurimin e rendit në aktivitete publike me pjesëmarrje të gjerë;
  • Menaxhimin e trafikut pranë shkollave dhe zonave të frekuentuara;
  • Patrullime dhe monitorime për parandalimin e krimeve;
  • Mbështetje për rritjen e sigurisë në shkolla;
  • Fushata sensibilizuese për mbrojtjen e mjedisit;
  • Ndihmë në operacione kërkim-shpëtimi dhe emergjenca civile.

Kush mund të bëhet pjesë e këtij shërbimi?

Për t’u bërë polic vullnetar, kandidati duhet të jetë shtetas shqiptar, të ketë përfunduar arsimin e mesëm dhe të mos ketë precedentë penalë. Janë të përjashtuar nga kjo mundësi gjyqtarët, prokurorët, përmbaruesit, drejtuesit politikë si dhe punonjësit e institucioneve të tjera të sigurisë.

Aplikimi kryhet pranë Drejtorisë Vendore të Policisë së qarkut përkatës, përmes plotësimit të një formulari standard dhe dorëzimit të dokumentacionit të kërkuar. Kandidatët e përzgjedhur do të përfshihen në një listë zyrtare dhe do të njoftohen për hapat e mëtejshëm.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit