Një shpërthim është regjistruar mbrëmjen e sotme brenda rrethimit të burgut të sigurisë së lartë në Fushë-Krujë. Sipas informacioneve paraprake, një telefonatë ka njoftuar policinë për një zhurmë të fortë që është dëgjuar në këtë zonë.
Në vendngjarje kanë mbërritur efektivë të policisë, përfshirë oficerë nga Policia e Tiranës, të cilët po kryejnë verifikimet përkatëse.
Nga të dhënat e deritanishme, dyshohet se shpërthimi mund të ketë ardhur nga një prej gjeneratorëve të vendosur brenda kompleksit, ku ndodhen gjithashtu edhe kabina elektrike. Po hetohet gjithashtu mundësia që shkak të jetë bërë një lëndë plasëse, megjithëse kjo pistë mbetet për t’u konfirmuar.
Policia ka konfirmuar se nga shpërthimi nuk ka persona të lënduar dhe as dëme materiale.
Hetimet vazhdojnë dhe pritet një njoftim zyrtar nga autoritetet për sqarimin e plotë të ngjarjes.
Njoftimi paraprak i policisë:
Rreth orës 22:45, ka ardhur një telefonatë në sallën operative të DVP Tiranë, se është dëgjuar një shpërthim brenda perimetrit të IEVP Fushë-Krujë.
Nga shpërthimi nuk ka persona të lënduar dhe as dëme materiale.
Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për sqarimin e rrethanave të rastit dhe përcaktimin e llojit të shpërthimit.