Alarm në Luginën e Preshevës: Asnjë shqiptar nuk pranohet në Polici, rritet frika për përjashtim sistematik

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 28.05.2025, 21:49

Shqiptarët në Luginën e Preshevës po përballen me një valë të re diskriminimi institucional, me përjashtim të plotë nga strukturat shtetërore serbe. Në konkursin e fundit të shpallur nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, nuk është pranuar asnjë shqiptar në Policinë e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, ndonëse dhjetëra aplikuan.

Kreu i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, ngriti alarmin për mediat:
“Po diskriminohemi çdo ditë. Nga 43 policë të pranuar në Preshevë dhe Bujanoc, asnjë nuk është shqiptar. Në Medvegjë janë pranuar 22 të tjerë, por sërish asnjë shqiptar. 11 kandidatë shqiptarë konkurruan, por asnjëri nuk u pranua. Kjo është një strategji e pastër përjashtimi.”

Ai vlerësoi qasjen e Ministrit Sveçla nga Kosova për kërkesën për reciprocitet dhe theksoi se përjashtimi nuk është rastësor, por pjesë e një politike të vjetër për boshatisjen e rajonit nga shqiptarët.

Në të njëjtën linjë, edhe nënkryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, paralajmëroi për një skenar të rrezikshëm:
“Po zbatohet i njëjti plan i vjetër për të dëbuar shqiptarët nga toka e tyre. Metodat kanë ndryshuar — nuk përdoren më armë e tanke, por mjete juridike që nuk respektojnë as Kushtetutën e Serbisë. Po i bëjnë shqiptarët të ndihen të huaj në vendin e tyre.”

Ky zhvillim i fundit ka shtuar shqetësimet për një përjashtim sistematik të shqiptarëve nga jeta institucionale në Luginën e Preshevës dhe për rrezikun e boshatisjes së kësaj zone me shumicë shqiptare, përmes mjeteve të heshtura, por efektive të diskriminimit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit