Prokuroria britanike ka njoftuar se vëllezërit Andrew dhe Tristan Tate janë zyrtarisht të akuzuar në Mbretërinë e Bashkuar për përdhunim dhe krime të tjera të rënda. Për ta është lëshuar një urdhër arresti europian që vitin e kaluar, dhe gjykatat rumune kanë miratuar ekstradimin e tyre drejt Britanisë, sapo të përfundojë procesi gjyqësor që po zhvillohet aktualisht në Rumani.
Urdhri i arrestimit, i lëshuar nga policia e Bedfordshire, lidhet me ngjarje të ndodhura mes viteve 2012 dhe 2015. Autoritetet nuk kanë bërë të ditur vendndodhjen e saktë të vëllezërve, por ata janë fotografuar një javë më parë para një komisariati në Voluntari të Rumanisë, ku duhet të paraqiten rregullisht për shkak të çështjeve gjyqësore atje.
Andrew Tate, 38 vjeç, përballet me akuza që përfshijnë përdhunim ndaj tre grave, dhunë fizike, trafikim të qenieve njerëzore dhe shfrytëzim prostitucioni për përfitim financiar. Ndërsa Tristan Tate, 36 vjeç, akuzohet për përdhunim, trafikim dhe dhunë fizike ndaj një gruaje.
Vëllezërit, të cilët kanë shtetësi amerikane dhe britanike, u zhvendosën në Rumani në vitin 2016. Ata u arrestuan në fund të vitit 2022 dhe u akuzuan zyrtarisht vitin e kaluar si pjesë e një rrjeti kriminal që dyshohet se mashtronte dhe shfrytëzonte seksualisht gra në Rumani. Andrew Tate akuzohet gjithashtu për përdhunim edhe në këtë vend.
Të dy vëllezërit i kanë mohuar të gjitha akuzat ndaj tyre.