Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se Mohammad Sinwar, udhëheqësi i Hamasit në Rripin e Gazës dhe vëllai i vogël i liderit të vrarë të grupit, Yahya Sinwar, është vrarë.
Netanyahu njoftoi eliminimin e tij gjatë një fjalimi në parlamentin izraelit, ku përmendi edhe emra të tjerë të zyrtarëve të Hamasit të vrarë nga Izraeli gjatë 20 muajve të fundit, përfshirë edhe Yahya Sinwar. Ai theksoi se “në dy ditët e fundit kanë hyrë në një fazë vendimtare drejt shkatërrimit të plotë të Hamasit”.
Sipas Netanyahu-t, Izraeli po merr kontrollin edhe mbi shpërndarjen e ndihmave në Gaza, përmes një sistemi të ri të mbështetur nga SHBA. Deri më tani, Hamas nuk e ka konfirmuar vdekjen e Mohammad Sinwar.
Mohammad Sinwar besohet të jetë vrarë në një sulm izraelit ndaj një spitali në jug të Gazës në fillim të majit, por lajmi u bë zyrtar vetëm tani.
Ai kishte një rol kyç në Hamas, si anëtar i krahut ushtarak të grupit dhe pjesë e shtabit të përgjithshëm të tij. Ishte gjithashtu një nga organizatorët e sulmit të vitit 2006 ku u rrëmbye ushtari izraelit Gilad Schalit, i cili më pas u shkëmbye me mbi 1000 të burgosur palestinezë, përfshirë edhe vëllanë e tij Yahya.
Mohammad Sinwar besohet të ketë qenë në dijeni për sulmin e 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit. Në një intervistë për Al Jazeera në vitin 2021, ai tha se Hamas "di si të godasë Izraelin atje ku dhemb më shumë".
Izraeli vazhdon ofensivën e tij në Gaza që nga tetori i kaluar, pas një sulmi të paprecedentë nga Hamas ku u vranë rreth 1200 izraelitë dhe u rrëmbyen mbi 250 persona. Si kundërpërgjigje, Izraeli ka ndërmarrë sulme të pamëshirshme në Gaza, duke shkaktuar mbi 53,000 viktima sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, shumica prej tyre civilë, dhe ka zhvendosur mbi 2 milionë persona.