Sarajet e vilave qeveritare në Vlorë, Tan Dulaku dhe Ban Xhillari po favorizohen për t’i gllabëruar

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 28.05.2025, 20:34

JOQ ka raportuar më parë mbi thesaret më të lakmuara në bregdetin shqiptar, Vilat Qeveritare në Ujin e Ftohtë të Vlorës, të cilat janë vënë në shënjestër nga disa prej figurave më të fuqishme të politikës dhe biznesit në vend.

Pas një vendimi të beftë të Korporatës së Investimeve Shqiptare (KISH), u hap rruga për dhënien me koncesion të kompleksit qeveritar. Tashmë ka nisir një garë e heshtur ku lufta reale duket se bëhet për influencat dhe lidhjet politike.

Zyrtarisht, bëhet fjalë për një projekt për “rikonceptimin e rezidencave qeveritare në struktura akomodimi elitar”. “Garuesit” janë kompani satelitë të figurave që kanë diktuar zhvillimet ekonomike dhe politike të dekadës së fundit.

KUSH PO FAVORIZOHET

Së fundmi një skandal i rëndë ka shpërthyer në lidhje me procedurat e përzgjedhjes së ofertuesve për zhvillimin e Vilave Qeveritare në Vlorë, ku Korporata e Investimeve Shqiptare (KISH) dyshohet se po ushtron presion mbi Komisionin e Vlerësimit të Ofertave për të favorizuar dy biznesmenë të njohur: Artan Dulaku dhe Alban Xhillarin, të cilët paraqiten në garë me marrëveshje të ndara, por të lidhura me të njëjtin brand ndërkombëtar Melia Hotels.

Burime ekskluzive për JOQ brenda institucionit zbulojnë se ndaj punonjësve të KVO po ushtrohet çdo ditë presion. "Çdo ditë po na detyrojnë të firmosim dhe të ecim në hapat e metejshëm me vijimin e procedurës."

Në fazën e parë të procesit janë kualifikuar dy bashkime operatorësh ekonomikë: Edil-Al e Artan Dulakut në bashkëpunim me Melia Hotels & Resorts, dhe Blu Horizont 2005 e Alban Xhillarit në bashkëpunim me Melia Hotel International.

Megjithatë, të dhënat zyrtare dhe dokumentacioni i dorëzuar tregojnë se Melia Hotels & Resorts dhe Melia Hotel International nuk janë entitete të ndryshme, por përfaqësojnë të njëjtën kompani, njëra si emër tregtar dhe tjetra si kompania mëmë. Kjo krijon një konflikt të hapur interesi dhe cënon rëndë parimin e barazisë në garë, pasi një brand nuk mund të garojë me dy palë të ndryshme në të njëjtin proces konkurrimi.

Sipas të njëjtit burim brenda KVO-së, kjo situatë përbën një manipulim të mirëorganizuar dhe një farsë ligjore.

Kualifikimi i të dy operatorëve, megjithëse përfaqësojnë në thelb të njëjtën markë, ngre dyshime serioze se kemi të bëjmë me një garë të rreme, me fitues të paracaktuar dhe me objektiv të qartë: Favorizimin e interesave private në dëm të transparencës publike.

Ky rast paraqet një tjetër shembull të kapjes së shtetit nga rrjetet e interesave të lidhura me sektorin privat dhe brandet e mëdha ndërkombëtare. Ku lidhjet oligarkike-qeveritare përdoren si mbulesë për manipulime dhe marrëveshje të mbyllura nën tryezë.

DHURATË PLAZHIN

Fituesi, përpos godinave që përfshijnë tre vila me një sipërfaqe ndërtimi mbi 1,600 m², do të përfitojë edhe plazhin përballë, një nga më të kërkuarit në Vlorë. KISH e ka lënë të hapur këtë mundësi, duke e lidhur me “legjislacionin turistik në fuqi” dhe duke shtyrë vendimin final pas përzgjedhjes së fituesit.

Kjo e bën projektin edhe më tërheqës për investitorët me lidhje politike, të cilët jo vetëm përfitojnë nga ndërtimi i hoteleve 5-yje në vila historike shtetërore, por marrin dhe një copë të bregdetit shqiptar për përdorim privat.

KAMUFLIMI I SHTETIT, COPËTIM I SHQIPËRISË PËR OLIGARKËT

Në dokumentet zyrtare, Korporata justifikon projektin me idenë e “nënshfrytëzimit” të rezidencave qeveritare. Por në realitet, kjo është një tjetër skemë e legalizuar për kalimin e pasurive shtetërore në duar të pakta dhe të fuqishme. Me justifikimin e “zhvillimit ekonomik” dhe “menaxhimit të standardeve të mikpritjes”, po tjetësohet një pasuri historike dhe natyrore me vlerë të pazëvendësueshme.

A po përdoren këto marrëveshje si “qoka” në prag zgjedhjesh?

Koha do ta tregojë nëse ky tender do të jetë një tjetër skandal i radhës apo shembulli më i fundit i një Shqipërie ku pushteti dhe pasuria ecin paralelisht.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit