Një krim tronditës ka goditur komunitetin në Afragola, pranë Napolit, ku 14-vjeçarja Martina Carbonaro është gjetur e pajetë pasi ishte raportuar e zhdukur që më 26 maj 2025.
Trupi i saj u gjet nën një dyshek brenda një ndërtese të braktisur në Campo Moccia, afër varrezave të zonës.
Autori i dyshuar, ish-i dashuri i saj, Alessio Tucci, 19 vjeç, është arrestuar dhe ka pranuar autorësinë e vrasjes. “E vrava sepse ajo më la”, ka deklaruar ai para autoriteteve. 14-vjeçarja i kishte dhënë fund marrëdhënies disa ditë para vrasjes dhe ai nuk mund ta pranonte ndarjen.
Raportohet se 19-vjeçari i ka shkaktuar vdekjen duke e goditur në kokë disa herë me një gur. Ishin pamjet filmike në kamerat e zonës që çuan në zbardhjen e ngjarjes, ku u rindërtuan lëvizjet e fundit të viktimës dhe u identifikua autori i cili akuzohet për vrasje të rëndë dhe fshehje të një kufome.
Martina doli nga shtëpia të hënën mbrëma për të marrë një akullore me një shoqe, por më pas u pa në shoqërinë e Tuccit.
“Dua burgim të përjetshëm për këtë djalë”, tha nëna e vajzës, Enza Cossentino, mes lotëve. “Vajza ime ishte e bukur si dielli. E paralajmërova të ishte e kujdesshme. Dashuria mbaron, por jo jeta.”
Ajo denoncoi gjithashtu se Tucci u paraqit si i pafajshëm dhe madje ndihmoi në kërkime, duke e bërë edhe më të vështirë të pranojë fundin tragjik.
Kujtojmë se me të njëjtën skemë u vra pak muaj më parë 22-vjeçarja shqiptare Ilaria Sula. Studentja shqiptare ishte ndarë nga i dashuri, por doli ta takonte për herë të fundit për t'u sqaruar. Por ky takim nuk shkoi mirë pasi ish- i dashuri filipinas Mark Samson e vrau duke e goditur disa herë me thikë dhe trupin e futi në një valixhe dhe e hodhi në humnerë në një zonë të pyllëzuar në Poli. Pas kësaj ai përdori celularin e saj për të dërguar mesazhe sikur ishte gjallë dhe ndihmoi familjarët dhe miqtë e shqiptares për gjetjen e saj.