Ministri i Bujqësisë në detyrë, Faton Peci, ka reaguar pas intervistimit si i dyshuar lidhur me kontratën për mbetje shtazore nga ana e hetuesisë së posaçme të Policisë së Kosovës.
Peci me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ ka prezumuar pafajësinë e tij, duke thënë se “epilogu i këtij procesi do të jetë i njohur”.
“U jam mirënjohës për shprehjen e shqetësimit si dhe për solidaritetin e treguar gjatë ditës së djeshme, me rastin e intervistimit tim nga organet e rendit dhe drejtësisë. Me theks të vecantë, ju drejtohem 133,987 qytetarëve që më kanë dhuruar gjënë më të shenjtë; besimin!
Jam i bindur që epilogu i këtij procesi do të jetë i njohur për ju sikurse është i njohur për rreth 30 mijë fermerë, që përfitojnë në baza vjetore subvencione dhe grante e që njëherit janë dëshmitarët më të vëmendshëm në cdo cep të Kosovës. Ata, më së miri e dinë se në funksion të kujt, e kam kryer detyrën zyrtare”, thuhet në reagimin e tij.
“Çdo shkronjë, fjalë, si në të shkruar ashtu edhe e thënë, është e qasshme për secilin që ka interesim. Kosova, si vend i bekuar ka një popull të mrekullueshëm, e mbi qiellin e kësaj toke e këtij populli, ka Zot”, përfundon reagimi i tij.