Fidel Ylli lë mësuesit e “ekipeve sportive” prej 6 muajsh pa paga

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 28.05.2025, 10:46

Mësues të përfshirë në projektin “Ekipet Sportive”, të zhvilluar nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), kanë ngritur shqetësime serioze lidhur me mospagesën e pagave për një periudhë prej mbi gjashtë muajsh.

Sipas një denoncimi anonim të ardhur nga një mësues pjesëmarrës në këtë projekt, për vitin aktual janë paguar vetëm dy muaj, tetor dhe nëntor, ndërsa pjesa tjetër e pagesave është shtyrë vazhdimisht pa asnjë njoftim zyrtar.

“Nuk kemi marrë pagat nga dhjetori deri më sot. Kemi nënshkruar kontrata, por askush nuk po i zbaton. Na thonë se janë në pritje të firmës së presidentit të KOKSH, por ndërkohë jemi pa pagesë dhe pa asnjë informacion,” – shprehet mësuesi.

Por përveç vonesës në marrjen e pagave, mësuesit, pjesëmarrës të këtij projekti thonë se pagat nuk përputhen me vlerën e parashikuar në kontratë.

“Na është premtuar një shumë prej 270 mijë lekësh në muaj, por realisht na kanë dhënë më pak, rreth 250 mijë lekë. Kur llogarit numrin e mësuesve, kuptohet qartë se kemi të bëjmë me një mungesë transparence dhe me abuzim financiar,” – thuhet më tej në denoncim.

Projekti është promovuar nga KOKSH si një nismë për të nxitur sportin në sistemin parauniversitar dhe universitar, por sipas mësuesve të përfshirë, menaxhimi financiar dhe administrativ ka qenë i paqartë, i vonuar dhe me mungesë përgjegjshmërie.

Fondi total për këtë projekt kap vlerën e 5 milionë eurove, financuar nga Qeveria shqiptare dhe menaxhuar nga KOKSH, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit. Mësuesit thonë se vonesat e pagave janë jo vetëm të pajustifikuara, por edhe abuzive, duke akuzuar institucionet për mungesë transparence dhe komunikimi.

Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet përgjegjëse dhe bëjnë thirrje që pagat e prapambetura të jepen para përfundimit të projektit pasi punën po e bëjnë dhe rrogat s'po i marrin.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit