Trump po u kërkon ambasadave dhe konsullatave amerikane që të pezullojnë caktimin e intervistave për studentët që kërkojnë vizë për të ndjekur studime në SHBA. Lajmi raportohet nga Politico, i cili citon një mesazh të dërguar sot nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, në të gjitha përfaqësitë diplomatike amerikane.
Ky është hapi i parë drejt masave të reja që do të përfshijnë edhe vlerësimin e profileve në rrjetet sociale të kandidatëve që aplikojnë për vizë.
“Me efekt të menjëhershëm, në kuadër të përgatitjeve për një kontroll të zgjeruar të rrjeteve sociale, seksionet konsullore nuk duhet të caktojnë asnjë takim të ri për vizat (F, M dhe J) deri në marrjen e udhëzimeve të mëtejshme, të cilat pritet të vijnë në ditët në vijim”, thuhet në mesazhin diplomatik.
Sipas medias, administrata amerikane ka kryer edhe më parë kontrolle në rrjetet sociale të studentëve që ndodheshin tashmë në SHBA për të verifikuar nëse kishin marrë pjesë në protesta kundër veprimeve të Izraelit në Gaza, me qëllim që të dëboheshin. Por në këtë rast, bëhet fjalë për kontrolle paraprake që mund të ndikojnë ndjeshëm universitetet amerikane, të cilat mbështeten tek studentët e huaj për të mbajtur të qëndrueshëm buxhetet e tyre