Identifikohet 39-vjeçari shqiptar, i cili u përplas për vdekje në Itali.
Viktima është identifikuar si Edmond Gjoci, një 39-vjeçar me origjinë shqiptare, banues në Tuoro sul Trasimeno, Itali. Ai ishte bashkëshort dhe baba i një vajze të vogël.
Ngjarja e rëndë ndodhi në mëngjes, në rrugën rajonale 71, në zonën e Riccios pranë kufirit me rajonin e Umbrias. Edmond Gjoci po priste në anë të rrugës dikë që do ta shoqëronte për në punë, kur u përplas për vdekje nga një automjet që kishte devijuar nga rruga.
Automjeti drejtohej nga një 19-vjeçar, i cili sapo ishte pajisur me leje drejtimi. Dyshohet se ai humbi kontrollin e mjetit për arsye ende të paqarta, duke e bërë të përplaste për vdekje Gjocin. Karabinierët e Cortonës kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit tragjik.