Aktori i njohur turk, Halit Ergenç, është dënuar me 1 vit, 10 muaj e 15 ditë burgim me kusht nga një gjykatë në Stamboll për dhënien e dëshmisë së rreme dhe për përfshirje në përpjekje për të përmbysur qeverinë turke gjatë protestave të parkut Gezi në vitin 2013.
Ai është akuzuar se ka mohuar lidhjet me organizatorët e protestës, përfshirë aktorin Memet Alabora dhe agjenten Ayse Barim, megjithatë prokuroria paraqiti prova që vërtetonin të kundërtën.
Përveç Ergençit, aktori Riza Kocaoglu gjithashtu u dënua me 1 vit e 8 muaj burg. Të dy aktorët e kanë mohuar përfshirjen dhe akuzat ndaj tyre, ndërsa gjykata vendosi që dënimet të mos ekzekutohen menjëherë, me kusht që ata të mos kryejnë ndonjë vepër tjetër penale në të ardhmen. Procedurat gjyqësore nisën pasi agjentja Barim, e arrestuar më herët, u akuzua se kishte udhëzuar aktorët të mbështesnin publikisht protestat.
Halit Ergenç është një nga figurat më të njohura të televizionit turk dhe ka fituar famë ndërkombëtare me rolet në serialet “Një mijë e një netë” dhe “Sulejmani i Madhërishëm”.
Protesta të mëdha në Turqi
Protestat në parkun Gezi filluan në maj 2013 si një protestë paqësore kundër prishjes së parkut të Stambollit për ndërtimin e një qendre tregtare, por shpejt u shndërruan në demonstrata më të gjera antiqeveritare të drejtuara kundër kryeministrit të atëhershëm Rexhep Tajip Erdogan.
Mijëra qytetarë dolën në rrugë në të gjithë Turqinë, duke protestuar kundër sundimit autoritar, kufizimeve të lirisë së medias dhe dhunës policore. Autoritetet iu përgjigjën protestave me forcë, duke rezultuar në lëndime të shumta, arrestime dhe dënime ndërkombëtare për shkelje të të drejtave të njeriut.