Presidenti amerikan Donald Trump ka lëshuar një paralajmërim të ashpër ndaj presidentit rus Vladimir Putin, pas valës së re të sulmeve me dronë dhe raketa që kanë goditur objektiva civile në Ukrainë gjatë fundjavës.
Në një postim në platformën Truth Social, Trump shkroi:
“Ajo që Vladimir Putin nuk e kupton është se, nëse nuk do të ishte për mua, shumë gjëra vërtet të këqija do t’i kishin ndodhur tashmë Rusisë – dhe dua të them SHUMË të këqija. Ai po luan me zjarrin!”
Ky reagim vjen pasi dy liderët zhvilluan një bisedë telefonike dy-orëshe javën e kaluar, për të cilën Trump deklaroi se ishte "produktive", megjithëse nuk pati asnjë përparim konkret drejt përfundimit të luftës.
Në vend të de-përshkallëzimit, Rusia intensifikoi sulmet ndaj Ukrainës. Sipas autoriteteve ukrainase dhe burimeve ndërkombëtare, rreth 900 dronë u lëshuan nga forcat ruse gjatë një periudhe prej tre ditësh, nga e premtja deri të dielën në mbrëmje, duke shkaktuar dëme të mëdha dhe frikë të re në terren.
Deklaratat e Trump-it tregojnë një ton më konfrontues ndaj Moskës dhe një pozicionim të qartë përballë agresionit rus, ndërkohë që bisedimet për paqe vijojnë të mbeten në vendnumëro.