“Ora News” ka denoncuar hyrjen në Shqipëri të 4516.75 kg fileto derri të kontaminuar me salmonelë, të importuar nga kompania “Frigo ALBA” me administratorë Luan Jazexhiu dhe Ledio Koka. Megjithëse Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka deklaruar se mishi do të asgjësohet, pas tre muajsh ende nuk ka një konfirmim përfundimtar për këtë proces. Më 29 prill, AKU bëri me dije se “Frigo ALBA” ka njoftuar DRAKU-n në Tiranë për nisjen e procedurës së asgjësimit dhe se janë në pritje të përfundimit të saj.
Nga një investigim më i thelluar rezulton se AKU po tenton të fshehë destinacionin final te mishit me salmonelë. Në një përgjigje të dytë nga ky institucion na bëhet me dije se asgjësimi është kryer në datën 23 prill, ndërkohë që në datën 29 prill AKU shprehej se ky proces nuk ka përfunduar. Praktikisht dy përgjigje të ndryshme për të njëjtën procedurë. AKU refuzon t’i vendosë në dispozicion medias dhe publikut foto dhe video nga groposja e mishit me salmonelë.
Skandali thellohet kur AKM-ja njofton zyrtarisht se subjekti “Frigo ALBA” nuk ka bërë asnjë kërkesë për asgjësimin e mishit me salmonelë. Inspektorë e Mjedisit duhet të jenë prezent në këtë procedurë për të vërtetuar që mishi është asgjësuar, por ato nuk kanë dijeni për groposjen e 4516.75 kg fileto derri me salmomelë. Zyrtarisht nuk ka prova se ky mish është asgjësuar. Burime nga media bëjnë me dije se janë bërë tentativa për ta hedhur mishin me salmonelë në treg duke e shitur nën kosto. Por, ku përfundoi mishi me salmonelë? A ka lidhje helmimi i fëmijëve në kopshtin shtetëror me futjen në treg të këtij mishi?