Një krim tronditës në Brazil ka tronditur opinionin publik. Një 35-vjeçar, Carlos Eduardo de Sousa Ribeiro, ka pranuar se ka mbytur ish-partneren e tij, Amanda Caroline de Almeida, dhe më pas ka hedhur trupin e saj në lumin Tietê, që njihet për praninë e piranjave dhe ndotjen ekstreme.
Sipas autoriteteve, vrasja ndodhi më 19 maj, pas një debati mes çiftit, të cilët ishin ndarë dy muaj më parë. Amanda kishte refuzuar të kthehej tek ai, duke shkaktuar reagimin fatal të Ribeiro. Kamera sigurie e kapi momentin kur ai, bashkë me vëllain e tij, po fuste trupin e mbështjellë në një çarçaf në bagazhin e makinës.
Trupi i 31-vjeçares nuk është gjetur ende, ndërsa lumi ku dyshohet se është hedhur është i njohur për rreziqet që paraqet, përfshirë sulmet e piranjave, të cilat kohët e fundit kanë lënë të plagosur 15 persona.
E ndjera kishte qenë viktimë e dhunës edhe më herët. Miqtë e saj tregojnë se ishte rrahur brutalisht nga Ribeiro vetëm gjashtë javë para se të ndodhte vrasja, por ajo nuk e kishte denoncuar, duke u përpjekur të mbronte tre fëmijët e saj, të moshave 17, 7 dhe 5 vjeç. Ata tani ndodhen nën kujdesin e të afërmve.
Ribeiro u arrestua më 21 maj, ndërsa vëllai i tij 38-vjeçar, i cili ndihmoi në fshehjen e trupit, u ndalua një ditë më vonë. Të dy përballen me akuza për vrasje dhe fshehje kufome.
Ky rast tronditës ka nxjerrë sërish në pah problemin e thellë të dhunës ndaj grave në Brazil – një plagë që vazhdon të marrë jetë, pavarësisht përpjekjeve ligjore për ta luftuar atë.